Lajmet e fundit
Komisioni për Zhvillim Ekonomik...
E Hënë, 21.12.2015
Komisioni për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri, në mbledhjen e sotme të kryesuar nga Muhamet Mustafa, kryetar i komisionit, shqyrtoi Projektligjin për investimet strategjike në Republikën e Kosovës.
Gjatë shqyrtimit të këtij projektligji ishte e pranishme edhe ministrja e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë (MTI), Hykmete Bajrami, e cila sqaroi për rëndësinë dhe fushën që rregullon ai.
Ministrja me këtë rast tha se Ligji ka për qëllim krijimin e kushteve më të mira për investime, mbi bazën e një ligjshmërie të mirëfilltë. Tutje ajo shtoi se me miratimin e këtij ligji do të arrihet një konkurrencë reale me shtetet e rajonit, gjë që sipas saj, deri më tani ka munguar.
Anëtarët e komisionit, nga ana e tyre, vlerësuan se ligji është i mirëseardhur për ekonominë e vendit, ndërkaq, u shprehën se atë duhet trajtuar me kujdes gjatë fazave të ardhshme.
Pas debatit, komisioni e përkrahu në parim këtë projektligji, i cili do të procedohet tutje sipas Rregullores së Kuvendit.
Në këtë mbledhje, komisioni po ashtu përkrahu edhe Raportin me rekomandime për mbikëqyrjen e zbatimit te Ligjit për standardizim, të cilin e paraqiti deputeti, Fatmir Rexhepi.