Lajmet e fundit

Kuvendi i Kosovës dhe Instituti i Kosovës për Drejtësi me Memorandum mirëkuptimi

E Premte, 18.12.2015




Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, ka takuar sot Betim Musliun, drejtues i Institutit të Kosovës për drejtësi (IKD). Kryetari Veseli dhe z. Musliu u dakorduan për thellimin e bashkëpunimit të ndërsjellë, nëpërmjet një Memorandumi të mirëkuptimit.


Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, u informua nga z. Musliu për punën që bën ky Institut, sfidat në këtë lëmë, si dhe mundësitë e kontributit të gjithanshëm që vendi ynë të jetë vend ku çmohet transparenca, zbatimi i ligjeve dhe shteti ligjor.


Në veçanti, z. Musliu theksoi se raportet e Institutit që ai drejton, për gjendjen në drejtësi, nuk janë të bazuara në percepcion, por në fakte, pas analizave të tyre, si dhe ndikimin nëpërmjet rekomandimeve, për strategjitë dhe hartimin e politikave. Ai më këtë rast vlerësoi lart angazhimin e institucioneve që kanë pranuar rekomandimet, duke theksuar se serioziteti i trajtimit të çështjeve krijon edhe hapësirën e respektimit të këtyre rekomandimeve.


Kryetari Veseli theksoi se çmon lart punën e organizatave joqeveritare që me përkushtim pasqyrojnë gjendjen reale në Kuvendin e Kosovës dhe vuri në pah rëndësinë e procedurës, transparencën për hartimin e ligjeve, duke inkorporuar edhe organizatat joqeveritare dhe qytetarët gjatë sjelljes së tyre, si dhe mbikëqyrjen e zbatimit të ligjeve.


"Mirëpresim bashkëpunimin me organizatat joqeveritare. Transparenca dhe bashkëpunimi do të kontribuojnë që llogaridhënia para qytetarëve të jetë sa më e plotë, për punën në Kuvend, hartimin edhe zbatimin e ligjeve", theksoi kryetari Veseli, duke shtuar se duhet pasur kujdes në veçanti për drejtësinë, sepse është shumë e ndjeshme, pavarësia e së cilës është e paprekshme.


Në takim u fol po ashtu edhe për agjendën legjislative të Kuvendit dhe gatishmërinë e Institutit të Kosovës për Drejtësi që të fokusohet në punën e Komisionit për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit, Komisionin e Integrimeve Evropiane, monitorimin e zbatimit të ligjeve, sjelljen e legjislacionit sekondar dhe për këtë së shpejti do të nënshkruhet Memorandum i përbashkët i mirëkuptimit.


Z. Musliu vuri në pah se Instituti që drejton ai, vlerëson transparencën e kryekuvendarit Veseli, duke theksuar se lehtësimi i qasjes në punën e Kuvendit dhe transparenca, i shërbejnë jo vetëm demokratizimit të vendit, por edhe aktivizimit të qytetarit, duke kontribuuar në procesin e sjelljes së ligjeve dhe zbatimit të tyre.

 

 

Kuvendi i Kosovës dhe Instituti i Kosovës për Drejtësi me Memorandum mirëkuptimiKuvendi i Kosovës dhe Instituti i Kosovës për Drejtësi me Memorandum mirëkuptimi