Lajmet e fundit
Nga vizita zyrtare e Komisionit për Zhvillim Ekonomik në Shqipëri
E Premte, 18.12.2015
Komisioni për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri i Kuvendit të Kosovës, i prirë nga kryetari, Muhamet Mustafa, zhvilloi sot një vizitë zyrtare në Shqipëri.
Anëtarët e komisionit u pritën nga kryetari Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta, ndërkaq, në një mbledhje të përbashkët me Komisionin për Veprimtari Prodhuese, Tregti dhe Mjedis, të Kuvendit të Shqipërisë, të cilin e udhëheq, z. Eduard Shalsi, diskutuan dhe këmbyen përvojat në mes të dy komisioneve parlamentare.
Është biseduar po ashtu edhe për format e bashkëpunimit në të ardhmen. Lidhur me këtë, komisionet u dakorduan që komisionet të mbajnë mbledhje të përbashkëta, si mënyra më e mirë e këmbimit të përvojave, veçanërisht atyre nga fusha e ekonomisë, infrastrukturës, tregtisë dhe industrisë.
Gjatë takimit, komisionet shprehën gatishmërinë për mbikëqyrjen e dy qeverive përkatëse lidhur me bashkëpunimin nga fusha e ekonomisë, ndërkaq, është vënë në pah angazhimi i komisioneve për eliminimin e barrierave të bashkëpunimit, sidomos, i atyre jotarifore.
Komisioni është pritur edhe nga Edmond Haxhinasto, ministër i Transportit dhe Infrastrukturës, si dhe nga zëvendësministri i Energjetikës dhe Industrisë, z. Ilir Bejtja.
Në vazhdën e kësaj vizite, komisioni ka takuar edhe Agjencitë e pavarura nga fusha e minierave.