Lajmet e fundit
Kryetari Veseli mori pjesë në shënimin e 40-vjetorit të themelimit të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës
E Premte, 18.12.2015
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, mori sot pjesë në ceremoninë e shënimit të 40-vjetorit të themelimit të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës.
Në fjalën e tij të rastit para akademikëve dhe të ftuarve të tjerë të shumtë, kreu i Kuvendit tha se përvjetorët jubilarë, si ky i sotmi, janë momente të rëndësishme në jetën e një institucioni apo të një shteti, të cilat mundësojnë për të parë rrugën që është bërë në të kaluarën, e njëkohësisht, edhe momente të qartësimit të vizionit për të ardhmen.
Dyzet vitet e ekzistencës së Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, kryetari Veseli i konsideroi vite të historisë sonë më të re, të ringritjes sonë historike, politike, arsimore, kulturore, vite të rezistencës së përgjithshme kundër shtypjes politike e të rrugëtimit të pathyeshëm drejt lirisë.
"Ne sot jemi krenarë, se ia dolëm të përmbushim qëllimin më fisnik që mund të ketë një popull modern: të jetojë i lirë në tokën e tij, në gjuhën e tij, në kulturën dhe identitetin e tij. Ne sot, ndihemi krenarë, me faktin se Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, në tërë historinë e saj, ka qenë në shërbim të këtij qëllimi fisnik. Të qenit në shërbim të lirisë është nderi më i madh për një institucion të shkencës dhe artit", tha në fjalën e tij kryetari Veseli.
Duke iu drejtuar akademikëve, kreu i Kuvendit tha se ata duhet të ndihen krenarë me punën e tyre në shërbim të së vërtetës dhe të drejtës natyrore që ka secili popull për të qenë i lirë. Sot, Kosova është e lirë, shtet i pavarur dhe sovran, shtoi Veseli. Ai tha se liria nga shtypja është vlerë themelore, por nuk mjafton dhe se duhet punuar për lirinë e kuptuar si zhvillim.
Në vazhdim, kryetari i Kuvendit foli edhe për miratimin ditë më parë nga ana e Kuvendit, të Ligjit të ri për Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës.
"Është një ligj që përmbush standardet më të larta bashkëkohore, që kanë të bëjnë me fushën akademike. Është një ligj që stimulon shtigje të reja të hulumtimit akademik, në kohën e sfidave globale të dijes e zhvillimit. Por, kjo nuk është e gjitha. Kuvendi i Kosovës dhe të gjithë mekanizmat përkatës shtetërorë, duhet të bëjnë prioritet nacional dijen dhe edukimin, sepse sot, edukimi cilësor dhe popullata e kualifikuar përbën kapitalin më të madh për një vend", tha ndër të tjera në fjalën e tij kryeparlamentari Veseli.