Lajmet e fundit
Kuvendi përmbylli sesionin vjeshtor
E Enjte, 17.12.2015
Ka vazhduar sot seanca e Kuvendit të Republikës së Kosovës, e ndërprerë të hënën për shkak të mungesës së kuorumit.
Në këtë vazhdim seancë, deputetët miratuan propozim-vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për emërimin e anëtarëve të Bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, në përbërje: Petrit Gashi, kryesues, Hasime Mazreku, Hamdi Jaha, Skënder Komoni, Ismajl Januzi, Haxhi Arifi, Ranko Gjokiq dhe Bajram Zejnullahu, anëtarë.
Kjo seancë shënon edhe përmbylljen e sesionit vjeshtor të punimeve të Kuvendit për këtë vit. Kryetari Kadri Veseli, bëri të ditur se në Kuvend nuk ka më asnjë çështje në pritje për shqyrtim brenda këtij viti.
Në një adresim para deputetëve, zëvendëskryeministri Hashim Thaçi ka folur edhe njëherë për lajmin lidhur me mundësinë e mos rekomandimit për liberalizim të vizave për qytetarët e Kosovës.
Duke u shprehu i zhgënjyer thellë për vonesat, siç i quajti ai, të pakuptimta dhe provokuese, për liberalizimin e vizave, Thaçi vlerësoi se në gjithë këto vite është punuar me përgjegjësi të lartë në implementimin e të gjitha kritereve dhe standardeve, për të fituar të drejtat që u takojnë qytetarëve të Kosovës.
"Institucionet qendrore dhe lokale kanë implementuar të gjitha kriteret e kërkuara dhe sot nuk futemi në një raport teknik. Është marrëzi të shtyhet ky proces, qoftë edhe për disa ditë, lere më për disa javë. Qytetarët dhe institucionet janë lodhur me premtime shterpe. Këto vonesa janë të padrejta për Kosovën, por në të njëjtën kohë mund të nxisin reagime dhe përsëri të mbetemi fajtorë", theksoi zëvendëskryeministri Thaçi.