Lajmet e fundit

Mbledhja e Kuvendit

E Enjte, 17.12.2015




Në mbledhjen e sotme të Kuvendit të Kosovës, të kryesuar nga kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, deputetëve iu drejtua me fjalimin vjetor presidentja Kosovës, Atifete Jahjaga. Në fillim të mbledhjes, z. Veseli tha se në pajtim me nenin 84, paragrafi 30 i Kushtetutës së Kosovës, presidentja e Kosovës ka kërkuar që t' i drejtohet Kuvendit me një fjalim vjetor përkitazi me fushëveprimtarinë e saj.

Në fillim të fjalës së vet presidentja Atifete Jahjaga, theksoi se po u drejtohet të pranishmëve dhe qytetarëve të Kosovës në njërin prej momenteve më kritike të demokracisë sonë të re parlamentare, në një kohë kur vendin tonë e ka kapluar një krizë e thellë politike dhe morale, një përplasje e paparë brenda klasës politike, të cilëve qytetarët e Kosovës ia kanë besuar konsolidimin dhe forcimin e sovranitetit dhe shtetësisë së vendit të tyre.

Në këtë krizë, e cila ka hyrë në muajin e katërt, u sfidua rëndë konsensusi bazik demokratik, i cili u vendos në themelet e shtetësisë së Kosovës dhe mbi të cilin u ndërtua legjitimiteti shtetëror e ndërkombëtar. U sfidua rëndë rendi dhe ligji, tha ajo.

Në vijim znj. Jahjaga theksoi se qytetarët e Kosovës, në vend se të gëzojnë mundësinë historike të fituar me shumë mund e sakrificë nga gjenerata të tëra të jenë zot të vetvetes për ta çuar vendin e tyre përpara, u shndërruan në spektatorë të një tensionimi të skajshëm, të një tronditjeje të thellë, të një dhune të pashembullt, të një arrogance të paparë në historinë tonë të re, për të shtuar pastaj pyetjen:" Në këtë moment kritik për të ardhmen e Kosovës, a kemi nevojë për një thyerje të tillë? A është e mundur që njerëzit, të cilëve qytetarët e Kosovës ua besuan të bërit shtet, ta sfidojnë mu atë shtet për të cilin dikur sfiduan çdo frikë dhe bënë çdo sakrificë".?


Ajo pastaj tha se gjatë këtyre muajve është udhëhequr nga besimi se përfaqësuesit legjitimë të qytetarëve të Kosovës do të gjejnë kurajën që të tejkalojnë agjendat e tyre ditore, ideologjitë dhe interesat e ngushta partiake, për të mirën e përbashkët, për betimin që e kishin dhënë kur u ndërtuan institucionet e para të Kosovës së pavarur. „Jam përcaktuar me vendosmëri që të mbes e palëkundur nga thirrja që më bën Kushtetuta, që të jem faktore e unitetit dhe garantuese e funksionimit demokratik të institucioneve. Pareshtur i kam takuar, individualisht dhe bashkërisht, si përfaqësuesit e pozitës ashtu edhe të opozitës, për të gjetur rrugëdalje nga kjo krizë. Vazhdimisht kam bërë thirrje për rivendosjen e dialogut politik mes pozitës dhe opozitës dhe çdo herë kërkesa ime është refuzuar apo kushtëzuar. E kam kuptuar shumë mirë dhe e kam ndier shqetësimin e qytetarëve të Republikës së Kosovës për dy marrëveshjet e nënshkruara mes Qeverisë së Republikës së Kosovës me vendet fqinje - Republikën e Serbisë për krijimin e Asociacionit të Komunave Serbe, të dalë nga Marrëveshja e 19 prillit e ratifikuar nga ky Kuvend, me përkrahjen e një pjese të opozitës, dhe me Republikën e Malit të Zi për demarkacionin e kufirit tonë shtetëror, e cila ende nuk është ratifikuar këtu. Janë shqetësime dhe brenga që i ndajmë të gjithë, sepse me to vendosim për funksionalitetin e Kosovës si shtet dhe të ardhmen e gjeneratave të reja. Vendosim për integritetin territorial të Kosovës. Për sovranitetin e saj shumëfish të sfiduar. Për miqësitë tona, për partneritetet, për aleancat, për vlerat. Për rrugën tonë përpara", tha ajo.

Gjykata Kushtetuese është instanca e vetme kompetente që të bëjë interpretim ligjor të parimeve të Asociacionit

 

Duke folur për nevojën për një bashkëbisedim mes njerëzve që kanë vendosur ta ndajnë të mirën dhe të keqen në Kosovë, për të rivendosur një konsensus se Kosova është më e rëndësishme se secili prej nesh, znj Jahjaga tha se është për keqardhje që diskursi publik, në vend se t'i kontribuonte krijimit të një atmosfere konstruktive, është shndërruar në një garë patriotizmi duke drejtuar gishtin ndaj njëri-tjetrit. Ndërkaq, në vijim duke folur për angazhimet e saj në këtë frymë, ajo theksoi se në bazë të kompetencave të saj kushtetuese është angazhuar të kërkoj zgjidhje institucionale dhe gjithëpërfshirëse për dy marrëveshjet e kontestuara, duke propozuar plan konkret për tejkalimin e bllokadës institucionale, duke dërguar në Gjykatën Kushtetuese parimet e Asociacionit të komunave me shumicë serbe për interpretimin e përputhshmërisë së tyre me frymën dhe shkronjën e Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

Niveli i demokracisë dhe kualiteti i saj do të përcaktohen nga dialogu mes pozitës dhe opozitës

„Ne të gjithë mund të kemi mendim për Asociacionin, të kontekstit që e ka jetësuar atë, por Gjykata Kushtetuese, e krijuar dhe e votuar nga ky parlament, është instanca e vetme kompetente që të bëjë interpretim ligjor të parimeve të Asociacionit. Ne duhet t'iu besojmë institucioneve që i kemi krijuar vet dhe ato t'i mveshim me fuqinë që të marrin vendime të pavarura, të shkëputura nga frustrimi i përditshmërisë dhe nga gjuha e ashpër që po e karakterizon këtë realitet sot.


Njëjtë kam vepruar për demarkacionin me Malin e Zi, duke propozuar themelimin e një komisioni ad-hoc me ekspertë të huaj, të vendosur pranë zyrës sime apo këtij Kuvendi, që do të bëjnë vlerësimin e procesit të demarkacionit të kufirit tonë shtetëror me shtetin malazez, si mënyrën e vetme institucionale dhe kredibile për të adresuar pasaktësitë eventuale në këtë proces. Jam zotuar që gjetjet e një komisioni të tillë do të adresohen dhe gabimet eventuale do të përmirësohen.


Besoj që të dy zgjidhjet konkrete të ofruara nga institucioni të cilin e drejtoj, janë rruga e mesme më e mirë, kompromisi fillestar dhe hapi i parë për një komunikim përtej politikës ditore mes pozitës dhe opozitës. Përpos që adresojnë mosmarrëveshjet dhe ofrojnë zgjidhje për to, këto propozime do të jenë edhe një testament për zotësinë e klasës politike të Kosovës, që në rend të parë të vendosë interesin e vendit. E them prapë, Kosova është më e rëndësishme se secili prej nesh, dhe qytetarët e Kosovës nuk na kanë asnjë borxh, asnjërit prej nesh, për të merituar një sjellje të këtillë.

Shfrytëzoj rastin që të përgëzoj qytetarët e Kosovës, që me durimin dhe mençurinë e tyre, refuzuan të bëhen pjesë e kësaj përplasjeje dhe janë ngritur mbi të, duke bërë presion të vazhdueshëm te ju, te të zgjedhurit e tyre, që t'i lëni anash armiqësitë personale e konceptuale dhe t'i kthehen dialogut me njëri-tjetrin.

Forcën e argumentit nuk mund ta zëvendësojë gazi lotsjellës. As demokracinë tonë nuk mund ta reduktojmë në numra. Niveli i demokracisë sonë dhe kualiteti i saj do të përcaktohen nga dialogu mes pozitës dhe opozitës. Tash për tash mungesa e këtij dialogu rrezikon të zhbëjë parimin fundamental të jetës sonë politike, ta delegjitimizojë vendimmarrjen dhe ta bëjë të pasuksesshme përpjekjen për të krijuar vend ku sundon ligji për të gjithë.", tha znj Jahjaga. Ajo na vazhdim tha se dhuna nuk duhet të shndërrohet në mjet politik, sepse në atë mënyrë do ta zhbëhej, do të rrënohej Kosova.

Përkitazi me marrëdhëniet e Kosovës me Serbinë, znj. Jahjaga tha:" Rruga jonë drejt Bashkimit Evropian kushtëzohet edhe me dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Republikën e Serbisë, sikur që pamë se si Serbisë i kushtëzohet integrimi evropian me tërheqjen e plotë të strukturave të veta ilegale nga Kosova. Kapitulli 35 do ta shfuqizojë dualizmin e imponuar nga Serbia në Kosovë që nga përfundimi i luftës dhe garanton që rruga e Serbisë për në Bashkimin Evropian do të varet ekskluzivisht nga përmbushja e detyrimeve ndaj Kosovës e deri te nënshkrimi i marrëveshjes obligative që do të sigurojë njohjen e pavarësisë së Kosovës. Dialogu për ne vazhdon të mbetet i domosdoshëm. Në prag të shpalljes së pavarësisë dhe pas përfundimit të pavarësisë së kushtëzuar, ne trashëguam një realitet të komplikuar, një vend të ndarë etnikisht dhe një sovranitet të sfiduar. Dialogu i drejtpërdrejtë me Serbinë në kornizën e integrimit evropian me ndërmjetësim të BE-së dhe përkrahje të SHBA-së është momenti i fundit që ta detyrojmë Serbinë të shkëputet nga Kosova", theksoi presidentja Atifete Jahjaga.

Nuk ka zmbrapsje nga rruga evropiane

Duke folur për perspektivën e Kosovës, znj Jahjaga tha:"Ne nuk do të zmbrapsemi nga rruga jonë evropiane dhe do ta ndjekim me ngulm të drejtën tonë që e bën këtë rrugë të pakthyeshme dhe pa alternativë për Kosovën. Ne nuk jemi ngarkesë për BE-në. Kosova dhe qytetarët e saj janë vlerë e shtuar për Bashkimin Evropian. Me punë dhe përkushtim do t'i bindim skeptikët që Kosova, kur i jepet mundësia, ka një potencial të madh.

Duke përfunduar fjalën e saj, znj. Atifete Jahjaga tha: "Ky adresim është adresimi im i fundit para këtij Kuvendi në prag të përmbylljes së mandatit tim si Presidente e Republikës së Kosovës.

Në këto pesë vite nuk ka pasur nder më të madh për mua se të jem Presidentja e Kosovës. Ua them me kuptimin e plotë të fjalës se nuk ka pasur privilegj më të madh se të qëndroj në ballë të një shoqërie që, nën represion, spastrim etnik dhe kërcënim të vet ekzistencës, asnjëherë nuk u zmbraps nga ëndrra e të bërit shtet, që vazhdon të mbështetet fuqishëm në vlerat më të avancuara të njerëzimit, që me krenari e lartëson partneritetin dhe miqësinë e thellë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që synon pa u dekurajuar integrimin në Bashkimin Evropian, që edhe sot, përkundër vështirësive dhe debatit të ashpër për ta trasuar rrugën e vet, është e palëkundur në përpjekjen për ta bërë Kosovën vend të denjë për të jetuar", theksoi presidentja Atifete Jahjaga.

 

 

Mbledhja e Kuvendit Mbledhja e Kuvendit Mbledhja e Kuvendit Mbledhja e Kuvendit