Lajmet e fundit
Dëgjim publik i Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike
E Mërkure, 16.12.2015
Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike, kryesuar nga zëvendëskryetari i komisionit, Ali Sadriu, mbajti sot dëgjim publik, në të cilin u diskutua për raportet e auditimit të pasqyrave financiare për komuna për vitin 2014, si dhe për raportin e auditimit të performancës së komunave për vitin 2014.
Me qëllim që ky dëgjim publik të arrijë efektin e dëshirueshëm në përmirësimin e menaxhimit të parasë publike, komisioni kishte ftuar përfaqësuesit e Asociacionit të Komunave, kryetarët e komunave dhe drejtorët e Buxhetit, ministrin e Financave, drejtorin e Buxhetit të komunave, drejtorin e Thesarit, ministrin e Pushtetit Lokal, ministrin e Shëndetësisë, ministrin e Arsimit, përfaqësues të Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm, si dhe përfaqësues të shoqërisë civile.
Diskutimin e hapi zëvendëskryetari Sadriu, duke shprehur pakënaqësinë e komisionit ndaj mungesës në këtë dëgjim publik të kryetarëve të komunave dhe përfaqësuesve të Asociacionit të Komunave. Sadriu shprehu shqetësimin e tij edhe rreth laramanisë së shpenzimeve në sferën e arsimit dhe atë të shëndetësisë.
Ndërsa Alexandra Fehlinger, drejtuese e Projektit të GIZ-it, përshëndeti komisionin për punën e bërë këtë vit, duke theksuar se me bashkëpunim mund të arrihet progres në performancat financiare.
Zëvendësministri i Financave, Agim Krasniqi, ndërkaq, vlerësoi se raporti është në funksion të përmirësimit te menaxhimit te buxhetit nga komunat, ndërsa shtoi se të gjeturat e tij janë të dhëna që po diskutohen tash e disa vite.
Zëvendësministri i Shëndetësisë, Izet Sadiku, nga ana e tij, shprehu gatishmërinë e kësaj ministre për të marrë obligimet e saj, konform konkluzioneve që dalin nga ky dëgjim publik.
Përfaqësuesit e Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm, bënë një prezantim të raporteve dhe shkoqitën aspekte përmbajtësore të tyre. Ata cekën çështjet kryesore që përshkojnë këto raporte, si: opinionet e auditimit të komunave në dy vitet e fundit, zbatimin e rekomandimeve në dy vitet e fundit, sfidat në fushën e raportimit financiar, sfidat në fushën e prokurimit, sfidat buxhetore, si dhe ato në menaxhimin financiar.
Dëgjimi publik vazhdoi me diskutimet e përfaqësuesve të komunave, të cilët paraqitën sfidat dhe problemet kryesore me të cilat sot ballafaqohen komunat.
Një dëgjim i ngjashëm publik, i këtij niveli, pritet të mbahet në fillim të vitit të ardhshëm.