Lajmet e fundit
Kryetari Veseli priti ambasadoren e re të Portugalisë në Hungari, jorezidente për Kosovën, Maria Jose Morais Pires
E Mërkure, 16.12.2015
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, takoi sot ambasadoren e re të Portugalisë në Hungari, jorezidente për Kosovën, Maria Jose Morais Pires, me të cilën bisedoi për zhvillimet aktuale në vendin tonë, marrëdhëniet midis dy vendeve dhe mundësitë e forcimit të mëtejmë të tyre.
Duke e uruar ambasadoren Pires për detyrën e re diplomatike, kryetari Veseli çmoi lart ndihmën e gjithanshme që Lisbona zyrtare i ka dhënë Kosovës në kohë të ndryshme, si në ngritjen e kapaciteteve demokratike të institucioneve, ashtu edhe në afirmimin ndërkombëtar të shtetësisë dhe në procesin e integrimit euro-atlantik.
Marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve, kryetari i Kuvendit të Kosovës i konsideroi të shkëlqyeshme, ndërsa shtoi se ka ende hapësira për kultivimin dhe thellimin e mëtejmë të tyre, sidomos në rrafshin parlamentar.
Ratifikimin e MSA-së nga Kuvendi i Kosovës, kryetari Veseli e konsideroi një hap historik për Kosovën, si në procesin integrues evropian, ashtu edhe në krijimin e kushteve të përshtatshme për tërheqjen e investitorëve të huaj në Kosovë, përfshirë këtu edhe kompanitë portugeze.
Ambasadorja portugeze, Pires, nga ana e saj, theksoi gatishmërinë e shtetit që përfaqëson, për të vazhduar përkrahjen për Kosovën në të gjitha fushat, si dhe për të piketuar mundësitë e zgjerimit dhe forcimit të raporteve të gjithanshme, në veçanti në fushën ekonomike. Në këtë funksion, për Kosovën është shumë e vlershme përvoja e Portugalisë në prodhimin e energjisë së ripërtërishme.