Lajmet e fundit

Kryetari Veseli mori pjesë dhe mbajti fjalë rasti në Konferencën e Parë Vjetore për Partneritet

E Mërkure, 16.12.2015




Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, mori sot pjesë dhe mbajti fjalë rasti në Konferencën e Parë Vjetore për Partneritet midis Kuvendit të Kosovës dhe Shoqërisë Civile, e cila po zhvillon punimet në Prishtinë.


Në fjalën e tij para të pranishmëve, kryeparlamentari Veseli theksoi se shoqëria civile vazhdimisht ka pasur një rol aktiv dhe produktiv në zhvillimin e proceseve dhe institucioneve demokratike në vendin tonë, duke qenë një promotore e rëndësishme e vlerave demokratike. Veseli tha se Kuvendi i Kosovës, si institucioni më i lartë i përfaqësimit politik të qytetarëve, është shumë i përkushtuar në zhvillimin e një raporti produktiv me shoqërinë civile.


"Derisa në të kaluarën është folur për një raport dialogu midis Kuvendit dhe shoqërisë civile, sot ne mund të flasim për avancimin e këtij dialogu në raport partneriteti në mes këtyre dy shtyllave të demokracisë sonë të re", tha kryetari i Kuvendit.


Duke theksuar rëndësinë e kësaj konference, Veseli tha se qëllimi i parë i përbashkët është transparenca e punës parlamentare, duke shtuar se qytetarët kanë të drejtë të jenë të informuar si po punojnë të zgjedhurit e tyre, si po hartohen ligjet dhe si po merren vendimet publike. Në funksion të këtij qëllimi, ai tha se është rritur akcesi i mediave në punën e legjislativit në të gjitha nivelet. Por, krahas kësaj, sipas tij, duhet rritur edhe pjesëmarrjen e publikut në proceset legjislative të cilat i zhvillon Kuvendi.


"Kur flas për këtë pjesëmarrje, kam parasysh idenë që Kuvendi, sidomos në nivelin e komisioneve parlamentare, të jetë i hapur për ide dhe iniciativa ligjore, që mund të burojnë nga organizatat e shoqërisë civile, shoqatat e grupeve të interesit, si dhe komuniteti i biznesit", tha në fjalën e tij kryetari i Kuvendit, ndërsa shtoi se legjislativi do të japë kontributin e tij në partneritetin e domosdoshëm me shoqërinë civile, duke i qëndruar besnik këtij partneriteti. Por, ai shprehu besimin se edhe shoqëria civile do ta bëjë të njëjtën gjë.


Kreu i Kuvendit shtoi se ashtu sikurse në institucionet shtetërore ka individë që abuzojnë me përgjegjësitë institucionale, edhe në organizatat e shoqërisë civile ka të tillë që abuzojnë me parimet dhe kauzën e shoqërisë civile.
"As pushteti nuk është një komunitet djajsh, e as shoqëria civile nuk është një komunitet engjëjsh. Të dy palët kanë meritat dhe dobësitë e tyre. Prandaj ky partneritet në mes Kuvendit të Kosovës dhe shoqërisë civile është një mekanizëm i përbashkët që na ndihmon t'i pakësojmë dobësitë dhe zhvillojmë vlerat", vlerësoi kryetari Veseli.
Në këtë konferencë, kryetari i Kuvendi foli edhe për lajmin, siç e cilësoi ai,


aspak të merituar nga Bashkimi Evropian, për mundësinë e mosdhënies së rekomandimit për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës. Lidhur me këtë, Veseli theksoi se prej 5 vitesh vendi dhe populli ynë është më izoluari në Evropë, një izolim ky i pamëshirshëm dhe i pamerituar.


"Bashkimi Evropian, i ndërtuar mbi idenë e lirisë së lëvizjes së njerëzve, po krijon në zemër të saj, një Geto të re, për një popull po aq evropian sa të gjithë popujt tjerë të kontinentit. Ne kemi vazhduar të jemi evropianë edhe në kohërat e sundimit shekullor nga fuqi joevropiane. Dhe do të jemi evropianë edhe tani përballë këtij izolimi të pamerituar dhe diskriminues", tha Veseli, ndërsa vlerësoi se megjithëse Kosova i di dobësitë e saj, një vendim eventual i BE-së për mos liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, nuk është pasojë e dështimit të Kosovës, por pasojë e dështimit të unitetit të BE-së në raport me Kosovën.


"Duke mos liberalizuar vizat për qytetarët e Kosovës, Bashkimi Evropian po dëmton vetë interesin e saj për një rajon stabil dhe mundësinë e pajtimit ndëretnik.


Sidoqoftë, ky vendim duhet të shërbejë si një shenjë e re që ne të vazhdojmë edhe më fuqishëm të punojmë në avancimin e demokracisë sonë, zhvillimit ekonomik dhe fuqizimin e orientimit tonë properëndimor. Kosova ka qenë, është dhe do të mbetet evropiane përgjithmonë", tha kryeparlamentari Veseli.


Në këtë konferencë, e cila do të zhvillojë punimet deri në orët e pasdites, po marrin pjesë deputetë të Kuvendit, përfaqësues të shoqërisë civile dhe partnerë ndërkombëtarë.

 

 

Kryetari Veseli mori pjesë dhe mbajti fjalë rasti në Konferencën e Parë Vjetore për PartneritetKryetari Veseli mori pjesë dhe mbajti fjalë rasti në Konferencën e Parë Vjetore për PartneritetKryetari Veseli mori pjesë dhe mbajti fjalë rasti në Konferencën e Parë Vjetore për PartneritetKryetari Veseli mori pjesë dhe mbajti fjalë rasti në Konferencën e Parë Vjetore për Partneritet