Lajmet e fundit
Dëgjim publik i Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës
E Marte, 15.12.2015
Komisioni për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës, i kryesuar nga zëvendëskryetari i komisionit, Fadil Demaku, mbajti sot dëgjim publik lidhur me mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për Policinë.
Në këtë dëgjim morën pjesë përfaqësues të Policisë së Kosovës, Inspektoratit të Policisë së Kosovës, Agjencionit të Kosovës për Forenzikë, Departamentit Ligjor të Ministrisë së Punëve të Brendshme si dhe Avokati I Popullit.
Hapjen e bëri z. Nuredin Ibishi, kryetari i grupit punues, i cili paraqiti një raport rreth aktiviteteve të kryera. Ai me këtë rast njoftoi se kanë hartuar dy pyetësor, ndërkaq, kanë realizuar edhe vizita të ndryshme në teren.
Lidhur me zbatimin e ligjit, z. Ibishi paraqiti edhe vërejtjet si dhe rekomandimet e grupit punues.
Komisioni vlerësoi se ka ngecje edhe rreth zbatimit të Ligjit për barazi gjinore, ndërkaq, kërkuan zbatim në nivel edhe më të kënaqshëm.
Përfaqësuesi i Policisë së Kosovës, shprehu kënaqësinë e tij rreth Ligjit për Policinë si dhe hapësirës së reformave. Në debat është përmendur rëndësia e bashkëpunimit ndërmjet Prokurorisë dhe Policisë së Kosovës, si dhe bashkëpunimi ndërkombëtarë.
Lidhur me pakënaqësitë e ngritura nga komisioni për mosrespektimin e Ligjit për barazi gjinore, përkatësisht përfaqësimi i paktë i femrave në Policinë e Kosovës, përfaqësuesit e policisë u përgjigjën se numri i femrave të interesuara është shumë i vogël.
Përfaqësuesi i Inspektoriatit Policor, ndërkaq, paraqiti disa statistika nga viti 2014, e që kishin të bënin me ankesat ndaj Policisë.
Shqetësimin e tij e paraqiti dhe Avokati i Popullit, z. Hilmi Jashari. Ai u angazhua për krijimin e një kulture sa më të lartë të përgjegjësisë së qytetarëve ndaj ligjeve dhe gjobave të dhëna nga Policia.
Në fund, Komisioni shprehu kënaqësinë rreth numrit të pjesëmarrësve të komuniteteve në Policinë e Kosovës si, dhe bashkëpunimit me komisionin.