Lajmet e fundit

Nga punimet e mbledhjes plenare të Kuvendit

E Hënë, 14.12.2015




Pas ndërprerjes së mbledhjes plenare të Kuvendit, si pasojë e hedhjes së gazit lotsjellës nga ana e deputetëve të opozitës, deputetët janë mbledhur në sallën alternative, në të cilët kanë vijuar punimet e Kuvendit, sipas rendit të ditës së përcaktuar nga Kryesia.


Pas pikave të rëndomta, kohës për deklarime jashtë rendit të ditës dhe kohës për pyetje parlamentare, deputetët kanë shqyrtuar për herë të dytë Projektligjin për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2016, me amendamente.


Pas miratimit një nga një të amendamenteve të komisionit funksional, Kuvendi miratoi projektligjin në tërësi.
Në vazhdim, Kuvendi shqyrtoi edhe Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes për Hua ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për rindërtim dhe zhvillim për projektin e rehabilitimit të rrugës hekurudhore 10, Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes për Hua ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë për bashkëpunim financiar 2014 për projektin e Huasë dhe Projektligjit për ratifikimin Marrëveshjes së kredisë Kosovë-Unicredit Bank Austria AG për financimin e Projektit të modernizimit të shërbimeve të kardiologjisë invazive në QKUK. U shqyrtua, gjithashtu, edhe propozim-amendamentit nr. 25 në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, i ri-proceduar nga Qeveria e Republikës së Kosovës. Për shkak se për këto katër pika nevojiteshin 80 deputetë prezentë në sallë, ato do të votohen në njërën nga mbledhjet e ardhshme.


Në kohën kur Kuvendi po shqyrtonte projektligjet në vazhdim, punimeve të mbledhjes plenare iu bashkëngjitën edhe disa deputete të opozitës, të cilat pas disa minutash hodhën gaz lotsjellës. Në pamundësi të vazhdimit të mbledhjes, Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, ndërpreu atë për një pauzë.


Deputetët u mblodhën serish në sallën alternative të Kuvendit, për të vazhduar shqyrtimin e pikave të tjera të rendit të ditës.


Duke marrë fjalën në Kuvend lidhur me zhvillimet e ditës, kryeparlamentari Veseli tha se ka tre muaj e gjysmë që Kuvendi ballafaqohet me përpjekje të deputetëve të opozitës për krijimin e një situate kaotike. Por, ai tha se Kuvendi është i përkushtuar që të vazhdojë agjendën e vet legjislative dhe të kryejë detyrat e përcaktuara me Kushtetutë, ligje dhe rregullore, konform funksioneve të tij.


Duke e marrë fjalën në seancë, zëvendëskryeministri Hashim Thaçi tha se deputetëve dhe qeverisë po u mohohet e drejta për komunikim me qytetarët, ndërsa këtyre të fundit, informimi lidhur me temat e ngritura. Nga veprimet e opozitës, vazhdoi Thaçi, Kosovës po i rrezikohen një varg marrëveshjesh ndërkombëtare, në vlerë prej rreth 60 milionë eurosh. Zëvendëskryeministri Thaçi dënoi, siç tha ai, uzurpimin e dhunshëm të sallës kryesore të Kuvendit nga një grup deputetësh opozitarë.


Po në këtë frymë, edhe kryeministri Isa Mustafa theksoi se gjendja aktuale kërkon ndërmarrjen e masave përkatëse, të cilat do të ndikonin në sanimin e saj. Ai tha se opozita po përdor mjete të dhunshme dhe të paarsyeshme për situatën dhe se veprime të tilla po ndodhin edhe jashtë Kuvendit. Ai kërkoi nga opozita që të paraqesë arsyet e vërteta të këtyre veprimeve, sepse, siç u shpreh ai, Asociacioni dhe Demarkacioni i kufirit nuk janë të tilla.


Pas këtyre deklaratave, Kuvendi iu kthyes serish agjendës legjislative.


Kështu, deputetët miratuan në shqyrtim të parë tri projektligje: Projektligjin për parandalimin dhe sanksionimin e dhunës në ngjarjet sportive, Projektligjin për siguri në punë në veprimtarinë minerare dhe Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 04/L-034 për Agjencinë Kosovare të Privatizimit, i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin nr. 04/L-115. Lidhur me këtë të fundit, Kuvendi votoi për shmangie nga rregullorja, duke i hapur rrugë shqyrtimit të tij në të dy leximet brenda ditës së sotme.


Në vazhdim, Kuvendi miratoi për herë të dytë nëntë projektligje, me amendamente të komisioneve funksionale: Projektligjin për treguesit gjeografikë dhe për emërtimet e origjinës, Projektligjin për dizajnin industrial, Projektligjin për themelimin e Fondit kosovar për garanci kreditore, Projektligjin për provimin e maturës shtetërore, Projektligjin për rregullimin e shërbimeve të ujit, Projektligjin për Energjinë Termike, Projektligjin për Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 03/L-048, për menaxhimin e financave publike dhe përgjegjësitë, i ndryshuar dhe i plotësuar me ligjet nr. 03/L-221, nr. 04/L-116 dhe nr. 04/L-194, si dhe Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 04/L-042 për prokurimin publik të Republikës së Kosovës, i ndryshuar dhe i plotësuar me Ligjin nr. 04/L-237. Kuvendi nuk miratoi, ndërkaq, Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës, kurse ai për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për parandalimin e konfliktit të interesit në ushtrimin e funksionit publik, u tërhoq nga qeveria.


Nga kjo seancë qeveria tërhoqi edhe shqyrtimin e propozim-vendimit të saj për emërimin e anëtarëve të Bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit.


Në vazhdim të mbledhjes, deputetët e Kuvendit miratuan dy propozim-vendime të tjera të qeverisë: atë për emërimin anëtarëve në Bordin e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë - ZRRE dhe propozim-vendimin për emërimin anëtarëve në Bordin e Autoritetit Rregullativ për Komunikime Elektronike dhe Postare - ARKEP.


U miratua, gjithashtu, edhe raporti i Komisionit për Integrime Evropiane për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit nr. 04/L-218 për parandalimin dhe luftimin e trafikimit me njerëz dhe mbrojtjen e viktimave të trafikimit, si dhe u formua Komisioni ad-hoc për përzgjedhjen e anëtarëve të Bordit të ankesave në Komisionin e Pavarur për Media. Kuvendi përkrahu edhe propozimin e GP të PDK-së për zëvendësimin e një anëtari në Komisionin parlamentar.

 

 

 

 Nga punimet e mbledhjes plenare të Kuvendit Nga punimet e mbledhjes plenare të Kuvendit Nga punimet e mbledhjes plenare të Kuvendit Nga punimet e mbledhjes plenare të Kuvendit