Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike
E Enjte, 10.12.2015
Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publik, në mbledhjen e sotme të drejtuar nga nënkryetari i parë i Komisionit, Ali Sadriu, shqyrtoi dy raportet e auditimit të përgjithshëm për vitin që përfundon me 31.12.2014 lidhur me pasqyrat financiare për Ministrinë e Mjedisit dhe Mirëqenies Sociale, si dhe për Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale. Të pranishëm në këtë takim ishin edhe ministrat përkatës të ministrive si raportues, z. Agani dhe z. Abrashi.
Këto raporte të auditimi kishin opinionin e pamodifikuar, në të cilat raporte ishin theksuar disa çështje të cilat i kishin tërhequr vëmendjen auditorit. Çështje të cilat kishin tërhequr vëmendjen auditorit tek Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor ishin: çështje e borxheve apo obligimeve të mëdha për shpronësime të pronave dhe pasurit kapitale. Ndërsa tek Ministria e Punës dhe Mirëqenies sociale ishin përfituesit e ndryshëm të skemave sociale dhe rregullativa ligjore.
Një përgjigjeje për këto çështje të shtjelluara u dha nga ministrat përkatës dhe stafi mbështetës i ministrive (sekretarët e përhershëm), me ç'rast u premtua se rekomandimet e auditorit do të merren seriozisht pasi që konsiderojnë se ato i ndihmojnë ministrive për të krijuar një sistem të mirëfilltë të kontrollit, i cili sistem do të siguronte një shpenzim efikas të parasë publike.
Duke marrë parasysh faktin që opinionet e raporteve në fjalë ishin të pamodifikuara, pas shpjegimeve të dhëna, komisioni vendosi unanimisht që të mos i dërgojë në seancë plenare, por që si të tilla t'u përcjellën ministrive përgjegjëse për implementim të rekomandimeve të dhëna nga Zyra e Auditorit të Përgjithshëm.
Krejt në fund komisioni diskutoi edhe detajet për takimin e ardhshëm i cili do të mbahet me 16 dhjetor 2015, ku do të marrin pjesë të gjitha komunat e Kosovës dhe do të diskutohen raportet individuale dhe ai i peformancës së përgjithshme të komunave për vitin 2014.