Lajmet e fundit

Kryetari Veseli vizitoi familjen Petroviq në fshatin Gorazhdec

E Mërkure, 09.12.2015




Veseli: Vijë në Gorazhdec, sikurse shkoj edhe në veri të Mitrovicës. Apeloj dhe inkurajoj për integrim të vazhdueshëm të të gjithë qytetarëve në shoqërinë dhe institucionet e Republikës së Kosovës

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, vizitoi sot familjen 5-anëtarëshe të Sasha Petroviqit, në Gorazhdec të Pejës, prona e të cilit ishte cak i një sulmi disa ditë më parë.
Kryetari Veseli dënoi ashpër sulmin mbi familjen Petroviq, duke kërkuar njëkohësisht, që rasti të mos paragjykohet dhe të mos politizohet. Veseli ftoi organet përgjegjëse që të merren më intensivisht me rastin dhe kryesit e sulmit të dalin para drejtësisë.
"Vijë në Gorazhdec, sikurse shkoj edhe në veri të Mitrovicës. Dënoj çdo incident të çfarëdo natyre dhe i përkrah qytetarët në jetën dhe pronën e tyre. Apeloj për integrim të vazhdueshëm të të gjithë qytetarëve në shoqërinë dhe institucionet e Republikës së Kosovës. Çdo sulm i tillë është kundër interesit të qytetarëve, popullit dhe shtetit të Kosovës, sidomos kur bëhet fjalë për sulm ndaj një qytetari dhe një familjeje, me pozicione të rëndësishme në institucionet e Republikës së Kosovës", theksoi kryetari Veseli.
Kryefamiljari Sasha Petroviq, njëherësh anëtar i Këshillit Konsultativ për Komunitete, organ ky në kuadër të Presidencës së Kosovës, falënderoi kryetarin e Kuvendit për vizitën dhe mbështetjen institucionale, duke pohuar se kjo është vizita e parë e rëndësishme në këtë lokalitet, e një drejtuesi të institucioneve kryesore të shtetit të Kosovës.
Kryeparlamentari Veseli, i shoqëruar nga nënkryetari i Kuvendit, Sllobodan Petroviq, lëvizi në këmbë përmes rrugës kryesore të fshatit dhe bashkëbisedoi me qytetarë, për sfidat dhe shqetësimet e tyre të jetës së përditshme.
Gjatë kësaj vizite, kryetari Veseli u prit edhe nga kryetari i Gorazhdecit, Sllobodan Petroviq dhe banorë të tjerë, drejtues të kishës ortodokse të fshatit, si dhe nga komandanti i Komandës Rajonale të Policisë së Kosovës, Shaban Shala.