Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Komisionit për të Drejtat, Interesat e Komuniteteve dhe Kthim
E Marte, 08.12.2015
Ministri Yagcilar raportoi lidhur me zbatimin e Ligjit për Shërbimin Civil.
Në mbledhjen e sotme të Komisionit për të Drejtat, Interesat e Komuniteteve dhe Kthim, i kryesuar nga Jasmina Zhivkoviq, kryetare e komisionit, ministri i Administratës Publike, Mahir Yagcilar, ka raportuar lidhur me zbatimin e Ligjit për Shërbimin Civil të Republikës së Kosovës, duke u përqendruar sidomos në nenin 11, i cili sanksionon përqindjen e të punësuarve nga radhët e komunitetit pakicë në Shërbimin Civil të Kosovës. Ai me këtë rast i ka njoftuar deputetët për nevojën e ndryshimit dhe plotësimit të Ligjit për Shërbimin Civil. Duke konstatuar se nuk është përmbushur norma e punësimit të pjesëtarëve të komuniteteve pakicë deri në 10 për qind, siç e parasheh ligji, Yagcilar ka paralajmëruar se ligji në fjalë do të përmbajë detyrimin ligjor "minimum 10 për qind" për këto komunitete. Ministri ka pohuar se me punësim qëndrojnë keq sidomos komunitetet: rom, ashkalinj dhe egjiptas.
Anëtarët e komisionit janë zotuar se do të marrin pjesë aktivisht në ndryshimin dhe plotësimin e Projektligjit për Shërbimin Civil.
Ministri i Administratës Publike, Mahir Yagcilar, u ka pohuar se ministria të cilën e drejton ka filluar punën për krijimin e dosjes elektronike për të gjithë të punësuarit e Administratës publike në Kosovë, për të cilën nismë anëtarët e komisionit kanë shprehur vlerësime pozitive.