Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Persona të Pagjetur dhe Peticione

E Marte, 08.12.2015




Komisioni u njoftua me ecurinë e fushatës 16-ditëshe të aktivizimit kundër dhunës ndaj gruas

Në mbledhjen e sotme të Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Persona të Pagjetur dhe Peticione, të kryesuar nga Lirije Kajtazi, kryetare, zëvendësministri i Drejtësisë, Lirak Çelaj, njëkohësisht Koordinator Nacional Kundër Dhunës në Familje, dhe Basri Kastarti, udhëheqës i Zyrës për Mbrojtje dhe Ndihmë të Viktimave nga Zyra e Prokurorit të Shtetit, kanë raportuar lidhur me ecurinë e fushatës 16-ditëshe të aktivizimit kundër dhunës ndaj gruas.
Të dy të ftuarit bënë prezantimin e raportit, përkatësisht disa prej pikave pozitive dhe negative, si dhe rekomandimet lidhur me vetëdijesimin kundër dhunës ndaj gruas, dhe në përgjithësi në familje.
Në komision u shqyrtua dhe Projektligji për statusin dhe të drejtat e personave paraplegjikë dhe tetraplegjikë, me praninë e përfaqësuesve të Handikos-it. Komisioni krijoi grupin punues për shqyrtimin e mëtejmë të këtij projektligji.