Lajmet e fundit

Kryetari Veseli vizitoi Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës

E Marte, 08.12.2015




Veseli konfirmoi mbështetjen e plotë të tij dhe të institucionit që ai udhëheq, për Akademinë, në funksion të përmbushjes së misionit fisnik të saj

Në prag të shënimit të 40-vjetorit të themelimit të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës (ASHAK), kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, vizitoi sot këtë institucion më të rëndësishëm shkencor të vendit.
Temë qendrore e bisedës me drejtuesit e Akademisë, ishte Projektligji për Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, i cili gjendet në procedurë parlamentare, zhvillimet aktuale në Kosovë, si dhe roli i ASHAK-së në jetën publike të vendit.
Duke e vlerësuar lart rolin dhe kontributin e Akademisë e të Universitetit në zhvillimet e gjithmbarshme shoqërore të Kosovës, të cilat kulmuan me shpalljen e pavarësisë, kryetari Veseli konfirmoi mbështetjen e plotë të tij dhe të institucionit që ai udhëheq, për Akademinë, në funksion të përmbushjes së misionit fisnik të saj. Në këtë drejtim, kreu i Kuvendit shprehu përkushtimin e tij që Ligji për Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, aktualisht në fazën e shqyrtimit në Kuvend, të jetë konform nevojave dhe kërkesave të ASHAK-së.
"Kuvendi do të përpiqet të ruajë autonominë e Akademisë, duke e përkrahur atë njëkohësisht, në të gjitha projektet e saj. Akademia mund të japë kontribut shumë të çmuar në zhvillimet të cilat shoqërojnë vendin, nëpërmjet punës shkencore, analizave dhe ekspertizave të ndryshme shkencore", theksoi kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli.
Kryetari i Akademisë, Hivzi Islami, nga ana e tij, vizitën e kryetarit Veseli e konsideroi një mesazh të rëndësishëm interesimi dhe përkrahjeje për këtë institucion, i cili, sipas tij, po vazhdon pandalshëm punën në përmbushjen e misionit. Islami e njoftoi kryetarin Veseli për punën e deritashme të ASHAK-së dhe projektet në vazhdim, duke veçuar angazhimet aktuale për hartimin e Fjalorit Enciklopedik të Kosovës, vepër kjo e një rëndësie të veçantë, e cila është në hartim e sipër.
Lidhur me zhvillimet politike që po e shoqërojnë vendin tash e disa muaj, ishte dakordim i përbashkët që zgjidhja të gjendet brenda institucioneve, konform dispozitave ligjore dhe kushtetuese.
Gjatë kësaj vizite, kryetari Veseli ishte i shoqëruar nga ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami dhe ish-kryetari i Kuvendit, Nexhat Daci, njëherësh anëtarë të Akademisë.