Lajmet e fundit
GGD-ja shënoi 10-vjetorin e themelimit
E Hënë, 07.12.2015
Grupi i Grave Deputete, kryesuar nga Blerta Deliu-Kodra, shënoi sot 10-vjetorin e themelimit në frymë festive e pune dhe në shenjë të përpjekjeve për të avancuar demokracinë me vlera civilizuese, duke përfshirë dhe fuqizuar rolin e gruas në të gjithë sektorët dhe në të gjitha nivelet. Grupi i Grave Deputete këtë ditë ia dedikon edhe luftës kundër dhunës në baza gjinore.
Duke folur para të pranishmëve,z. Blerta Deliu-Kodra tha se është e privilegjuar dhe ka një emocion të papërshkruar të hapë ceremoninë e sotme, të 10- vjetorit të themelimit të Grupit të Grave Deputete. Zonjat e mbledhura këtu nuk janë vetëm simbol i emancipimit të shoqërisë në vendin tonë, ato janë protagonistet kryesore të një nisme të hershme të themelimit të një grupimi, i cili në fokus kryesor e ka gruan. "Zonjat të cilat sot i kam përballë janë ato që dhanë kontributin e jashtëzakonshëm të gruas ndër vite, në kohën e rezistencës, në luftë dhe në liri, janë gratë të cilat ndër vite bënë ndryshimin.
"Koleget e mia para 10 vjetësh formuan Grupin e Grave Deputete, një grup gjithpërfshirës i përbërë nga gratë e të gjitha partive dhe të gjitha nacionaliteteve. Formimi i tij nuk ishte i lehtë, por kur vendosëm që të punojmë së bashku, qoftë edhe për një çështje të vetme për të cilën patëm pajtim, atëherë kuptuam se së bashku mund të punojmë për shumë çështje të tjera me interes për vendin. Ishte ky thelbi i tejkalimit të dallimeve tona", theksoi z. Blerta Deliu-Kodra.
Qëllimi i Grupit të Grave është shteti funksional ku sundon ligji dhe demokracia. Ne po angazhohemi që Kosova të aplikojë në politikat e veta standardet më të larta demokratike. Gratë deputete janë katalizator i koordinimit të politikave për fuqizim të gruas që nga presidenca e qeveria, për të vazhduar tek gratë dhe vajzat në asambletë komunale, në shoqëri civile dhe në parti politike. Për këtë rrugëtim, tha ajo, duhet falënderuar të gjithë partnerët të cilët kanë mbështetur që nga fillimi dhe po vazhdojnë të jenë aleatë të GGD-ës në betejën tonë për të ndryshuar shoqërinë.
Në vijim zonja Kodra tha se në përvjetorin e 10-të të themelimit, Grupi i Grave deputete po ndjek me shqetësim të thellë ngjarjet e fundit në vend, duke bërë thirrje tek të gjithë akterët për zgjidhje politike, më shumë punë në rritje të mirëqenies, jetesë normale të qytetarëve tanë, më shumë vende pune për gratë dhe të rinjtë, më shumë investime të huaja, rezultate te prekshme në luftën kundër korrupsionit e krimit të organizuar, arsimim të brezit të ri, shërbime mjekësore cilësore, politika sociale efikase dhe kujdes të veçantë për kategoritë në nevojë.
"Misioni ynë është që sot t'u krijojmë mundësi shumë grave dhe sidomos këtyre vajzave të reja për ta bërë një ambient të politikës të pranueshëm për to. Të krijojmë hapësira për më shumë gra dhe vajza në nivelin lokal të vendim marrjes, meqë situata në terren nuk duket ende e mirë.
Grupi i Grave deputete ka shprehur shqetësim lidhur me përmasat që po merr dhuna gjinore në Kosovë, veçanërisht kur rastet kanë përfundim tragjik. Statistika duhet të na shërbejnë si alarm për institucionet para se të ndodhin tragjeditë, sikurse ajo e Diana Kastratit dhe Zejnepe Bytyqit.
"Sfida si këto flasin se sa e rëndësishme është për ne si gra për të qenë më afër njëra tjetrës dhe për të kuptuar që vetëm kështu mund të kalojmë pengesat shekullore të ndarjeve kulturore, ndarjeve gjeografike e ndarjeve historike. Tek e fundit gratë nuk njohin pengesa, gratë janë bashkim. Në këtë përvjetor të dhjetë Grupi i Grave Deputete uron që të vazhdojmë rrugën tonë të përbashkët, atë të fuqizimit të gruas në jetën politike, ekonomike dhe sociale në vend, theksoi zonja Blerta Deliu-Kodra.
Në këtë solemnitet pastaj fjalën e mori ambasadori i OSBE në Kosovë, Jean-Claude Schlumberger, i cili theksoi se OSBE-ja ka bashkëpunuar me GGD-ën dhe shoqërinë civile në fuqizimin e gruas. OSBE-ja ka përkrahur GGD-ën në fushatën për blerjen e Mamografit mobil,mbikëqyrjen e Ligjit të punës etj.Kjo organizatë do të vazhdojë përkrahjen e GGD-ës edhe në luftë kundër dhunës ndaj gruas, tha ambasadori Schlumberger.
Meqë, ky përvjetor i dedikohet luftës kundër dhunës në baza gjinore, znj.Stefani Lefuvre prezentoi një raport të reagimit rreth rastit të znj. Zejnepe Berisha. Pataj GGD-ja ndau 20 mirënjohje për ata që kanë kontribuuar në avacimin e pozitës së gruas në shoqëri.Me mirënjohje u nderuan kryetari i Kuvendit të Kosovës: Kadri Veseli, ambasadori i OSBE-s në Kosovë, z. Jean-Claude Schlumberger, ambasador i SHBA-së në Kosovë, z. Gregory T. Delawie, znj. Flora Brovina etj.