Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Komisionit për Integrime Evropiane
E Hënë, 07.12.2015
Komisioni për Integrime Evropiane, i drejtuar nga Teuta Sahatqija, kryetare, u mblodh sot për shqyrtimin e një raporti të grupit punues dhe të disa projektligjeve.
Raportin e grupit punues për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për parandalimin dhe luftimin e trafikimit me njerëz dhe mbrojtjen e viktimave të trafikimit, e paraqiti nga kryetarja e këtij grupi, Luljeta Veselaj- Gutaj. Deputetja Veselaj-Gutaj prezantoi para komisionit të dhëna nga të gjeturat në terren, si dhe rekomandimet e dala nga dëgjimi publik dhe vizitat që grupi punues u ka bërë shumë institucioneve qendrore dhe lokale, përgjegjëse për zbatimin e këtij ligji.
Komisioni përkrahu raportin dhe e procedoi tutje në Kuvend.
Në vazhdim, komisioni shqyrtoi gjashtë projektligje, amendamente të komisioneve funksionale. Pas vlerësimit se ato nuk bien ndesh me legjislacionin e BE-së, komisioni përkrahu dhe procedoi tutje në Kuvend këto projektligje: Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për parandalimin e konfliktit të interesit në ushtrimin e funksionit publik, Projektligjin për themelimin e Fondit Kosovar për Garanci Kreditore, Projektligjin për treguesit gjeografikë dhe për emërtimet e origjinës, Projektligjin për dizajnin industrial, Projektligjin për energjinë termike. Me një vërejtje, u përkrah edhe Projektligji për Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës.