Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Kuvendit

E Hënë, 30.11.2015




Kryesia e Kuvendit merr masa ndaj deputetëve opozitarë që kanë rënë ndesh me Rregulloren e Kuvendit.
Kuvendi zgjodhi Selvete Gërxhaliun dhe Gresa Cakaj- Nimanin, gjyqtare të Gjykatës Kushtetuese.

Janë miratuar edhe një mori projektligjesh në lexim të parë dhe të dytë.

Grupet opozitare, VV, AAK dhe NISMA, sikurse që kishin paralajmëruar, edhe sot kanë bërë veprime për të pamundësuar mbajtjen e seancës së Kuvendit.
Qëllimi i tyre për të penguar mbajtjen e mbledhjes, u shoqërua me hedhje të gasit lotsjellës.
Në këto rrethana, kryeparlamentari, Veseli, kërkoi pauzë, gjatë së cilës është mbledhur Kryesia e Kuvendit.
Më pas është bërë e ditur se mbledhja do të vijojë në sallën e mbledhjeve plenare, gjë që edhe ndodhi, por, pa pjesëmarrjen e opozitës, e cila me vendim të Kryesisë së Kuvendit, është përjashtuar nga seanca e sotme. Kryesia, ndërkaq, ka vlerësuar se deputetët opozitarë: Shukrije Bytyqi dhe Ilir Deda, nuk kanë rënë ndesh me Rregulloren e Kuvendit.
Është vijuar më pas me dy pikat e përhershme gjatë mbledhjeve plenare: deklarime jashtë rendit të ditës dhe pyetje parlamentare. Pyetjeve të deputetëve iu kanë përgjigjur anëtarët e kabinetit qeveritar, përkatësishtë, ministri i Ministrisë së Kulturës, njëherësh zv. kryeministër, Kujtim Shala, Imet Rrahmani, ministër i Ministrisë së Shëndetësisë, si dhe ministri, Lutfi Zharku.
Më pas është vazhduar me ratifikimin e dy marrëveshjeve: shqyrtimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisës së Dukatës së Madhe të Luksemburgut, (e cila ka të bëjë me ndihmën në sektorin e shëndetësisë ), si dhe shqyrtimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes bilaterale ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Dukatës së Madhe të Luksemburgut për Projektin e Bashkëpunimit për Zhvillim: "KSV/018: Mbështetje Institucionale dhe Teknike për Sistemin e Furnizimit me Ujë në Rajonin e Mitrovicës".
Projektligjet janë paraqitur dhe arsyetuar nga ministrat përkatës, ndërkaq, ashtu siç është e paraparë me Rregulloren e Kuvendit për ratifikimin e marrëveshjeve, ato janë miratuar me 2/3 e votave të deputetëve, përkatësishtë, 80 vota.
Pas kësaj, deputetët shqyrtuan dhe miratuan në parim një mori projektligjesh: Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për menaxhimin e financave publike dhe përgjegjësitë, Projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit nr. 04/L-042 për prokurimin publik të Republikës së Kosovës dhe Projektligjin për Shërbimin e Jashtëm të Republikës së Kosovës.
Nuk është miratuar në parim, ndërkaq, Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 02/L-31 për Lirinë fetare në Kosovë.
Në vijim të mbledhjes, është proceduar me shqyrtimin e rekomandimit të Komisionit të posaçëm për përzgjedhjen e dy gjyqtarëve në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës.
Lidhur me këtë, fillimisht është formuar Komisioni Votues, ndërkaq, pas votimit të fshehur që u bë, kandidatët: Selvete Gërxhaliu, me 66 dhe Gresa Cakaj- Nimani me 58 vota, u zgjodhën gjyqtare të Gjykatës Kushtetuese.
Është shqyrtuar në lexim të dytë dhe mirtauar më pas edhe Projektligji për letërnjoftimin, ndërkaq, në lexim të parë janë miratuar edhe këto projektligje: Projektligji për Auditorin e Përgjithshëm dhe Zyrën Kombëtare të Auditimit të Republikës së Kosovës, Projektligji për administrimin e pasurisë së sekuestruar dhe të konfiskuar, Projektligji për profesionet e rregulluara në Republikën e Kosovës, Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr 03/L-224 për Këshillin Prokurorial të Kosovës, Projektligji për Mjekësinë Ligjore, Projektligji për patentë shofer, Projektligji për statusin dhe të drejtat e personave paraplegjik dhe tetraplegjik.
Është shqyrtuar, po ashtu dhe miratuar në lexim të dytë edhe Projektligji për Sigurimet.
Pas miratimit të këtyre projektligjeve, Kuvendi, me votim të fshehtë ka zgjedhur Ivan Velkoviqin, nga komuniteti serb, anëtar të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës.
Është bërë në vijim edhe emërimi i kryesuesit dhe anëtarëve të Bordit Drejtues të Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës, si dhe emërimi i anëtarëve të Këshillit për Ndihmë Juridike Falas.
Pas kësaj, në vijim të mbledhjes, janë shqyrtuar dhe miratuar edhe këto raporte: Raporti i Komisionit për Punë të Jashtme për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për Shërbimin Konsullor, të misioneve diplomatike dhe konsullore të Republikës së Kosovës, Raporti i Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare për vitin 2014, Raporti i Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Persona të Pagjetur dhe Peticione për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për personat e verbër, Raporti vjetor financiar i Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm për vitin 2014 dhe Raportin për gjendjen e mjedisit në Kosovë për vitin 2015.
Po ashtu, Kuvendi miratoi edhe rekomandimet lidhur me raportin e auditimit të Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm për vitin 2014.
Më pas, janë miratuar edhe rekomandimet lidhur me raportin e auditimit të Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm lidhur me raportin e auditimit për pasqyrat financiare të Ministrisë së Integrimeve Evropiane për vitin 2014.
Po ashtu, Kuvendi miratoi edhe Rekomandimet që kanë të bëjnë me raportin e auditimit të performansës për mirëmbajtjen dhe servisimin e veturave zyrtare, si dhe raportit të auditimit të pasqyrave financiare për Ministrinë e Administratës Publike, Këshillin Gjyqësor të Kosovës, Doganën e Kosovës dhe Policinë e Kosovës për vitin 2014.
Në vijim, deputetët në këtë mbledhje shqyrtuan dhe miratuan edhe rekomandimet e Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri lidhur me pozitën aktuale të prodhuesve dhe përpunuesve në industrinë e qumështit.
Mbledhja ka vazhduar me shqyrtimin e kërkesës së kryetarit të Komunës së Prishtinës për dhënien e pëlqimit për rinovimin e sheshit "Adem Jashari" në Prishtinë. Pas diskutimeve lidhur me këtë, deputetët, u shprehën të gatshëm për miratimin e kësaj kërkese, por, kërkuan nga organet komunale që paraprakisht të paraqesin një plan të detajuar lidhur me sheshin" Adem Jashari". Në këtë frymë, deputetët e vlerësuan të nevojshme formimin e një komisioni, i cili do të bisedojnë me organet komunale, në mënyrë që Kuvendi të jetë i informuar për së afërmi me idenë e ndërtimit të sheshit" Adem Jashari".
Në fund të kësaj mbledhjeje, është formuar Komisioni Ad-hoc për zgjedhjen e kandidatëve për anëtarë të Bordit të Radio Televizionit të Kosovës.
Në përmbyllje të punimeve të mbledhjes së sotme, kryetari i Kuvendit, Veseli, përsëriti kërkesën drejtuar opozitës që t'i kthehet punës në Kuvend.