Lajmet e fundit

Mbledhja e Komisionit për Buxhet dhe Financa

E Mërkure, 25.11.2015




Shqyrtimi i Projektligjit për Ratifikimin e Marrëveshjes për Hua ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për Projektin e Rehabilitimit të Rrugës Hekurudhore 10, ishte pikë e parë e rendit të ditës së mbledhjes së sotme të Komisionit për Buxhet dhe Financa, të kryesuar nga Naser Osmani, kryetar i Komisionit. Para Komisionit këtë Projektligj e prezantoi ministri i Financave, Avdullah Hoti. Duke folur për burimet e financimit ai tha se mjetet për këtë projekt janë me kushte të volitshme. Ky investim do të mundësojë funksionalizimin e rrjetit të hekurudhave kosovare. Komisioni rekomandoi për miratim këtë Projektligj.
Komisioni pastaj shqyrtoi Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjen për Hua ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë për Bashkëpunim Financiar 2014 për Projektin e Huasë, që ka të bëjë me përmirësimin e rrjetit energjetik, duke e proceduar tutje në Kuvend.
Në vijim Komisioni shqyrtoi nen për nen pjesën tekstuale të Projektligjit për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2016, të cilin me disa ndryshime e përkrahu dhe e procedoi tutje në Kuvend.
Komisioni në vazhdim shqyrtoi edhe Projektligjin për energjinë termike me amendamente të komisionit funksional, si dhe Projektligjin nr.05/L-41 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 04/L-051 për parandalimin e konfliktit të interesit në ushtrimin e funksionit publik, dhe amendamenteve të komisionit funksional për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit, duke theksuar se këto dy projektligje nuk kanë kosto shtesë.