Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Komisionit për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale

E Mërkure, 25.11.2015




Në mbledhjen e Komisionit për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale, të kryesuar nga Flora Bronvina, kryetare, ishte i ftuar ministri i Shëndetësisë z. Imet Rrahmani, për diskutimin e buxhetit të Ministrisë së Shëndetësisë për vitin 2016, si dhe Raporti i Progresit për vitin 2015, pjesa për shëndetësi.
Lidhur me buxhetin për vitin 2016 për Ministrinë e Shëndetësisë, z. Rrahmani bëri një ekspoze rreth ndarjes së buxhetit dhe objektivave kryesore në fushën e shëndetësisë duke theksuar se edhe pse sfidat janë të mëdha, duhet pranuar se buxheti i vitit 2016 për këtë ministri është i pamjaftueshëm për të realizuar të gjitha objektivat.
Ministri Rrahmani theksoi se janë hedhur hapa pozitive në fushën e bashkëpunimit me Odat e Mjekësisë. Kemi ndërtuar sistemin kompjuterik (software) të informacioneve si një hap i rëndësishëm dhe i domosdoshëm i përgatitjes së të dhënave bazë. Kjo punë parapërgatitore do të na orientojë drejt parashikimit dhe një ndarjeje sa më të saktë të buxhetit, si për numrin e kapaciteteve profesionale, specializimeve, kapaciteteve buxhetore për shtimin e personelit, blerjen e pajisjeve mjekësore, sasinë dhe llojet e ilaçeve për rimbursim etj.
Deputetët pyetën dhe kërkuan informacione shtesë për probleme të ndryshme si; Centralizimi i blerjes së barnave, pamjaftueshmëria e fondeve për rimbursimin e ilaçeve, fondin për operacionet e vështira jashtë vendit dhe vendosjen e çmimeve referente për këto operacione, domosdoshmërinë e rritjes së numrit të personelit, rritjen e kapaciteteve menaxhuese etj.
Lidhur me Raportin e Progresit për vitin 2015, pjesa për mjekësinë u theksua se Raporti i Progresit pak a shumë ka paraqitur të njëjtat probleme që janë shfaqur edhe në raportet e mëparshme. Ka një përmirësim të përkujdesit të nënave dhe fëmijëve, duke u ulur vdekshmëria nga 30 për një mijë lindje në vitet 2000, në 11 në vitin 2015, si dhe një vlerësim tashmë i barabartë i komuniteteve romë, ashkali etj..