Lajmet e fundit

Nën patronatin e kryeparlamentarit Veseli, u bë hapja e Fushatës së 16 ditëve të aktivizimit kundër dhunës në baza gjinore

E Mërkure, 25.11.2015




Nën patronatin e kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, të Grupit të Grave Deputete të Kuvendit të Kosovës dhe Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP), sot, në mjediset e Kuvendit të Kosovës, u bë hapja e Fushatës së 16 ditëve të aktivizimit kundër dhunës në baza gjinore, me rastin e 25 Nëntorit - Ditës Ndërkombëtare për Eliminimin
e Dhunës Ndaj Grave.
Në ceremoni ishin të pranishme deputete dhe deputetë të Kuvendit të Kosovës, ambasadorë, aktiviste të të drejtave të grave dhe mysafirë të tjerë të shumtë.
Në fillim të fjalës së tij, kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, kërkoi një minutë heshtje në nderim të Zejnepe Bytyqit, Qëndresa Zejnullahut, Diana Kastratit dhe shumë grave e bijave të tjera, që padrejtësisht kanë humbur jetën për shkak të dhunës në familje.
Ditën e sotme, kryetari Veseli e konsideroi ditë të homazhit për nënat dhe vajzat e shoqërisë sonë, të cilat janë viktima të dhunës në familje.
Njëkohësisht, ai e cilësoi edhe ditë të turpit për të gjithë ata bashkëshortë e familjarë që ushtrojnë dhunë në emër të zakoneve të mykura të së kaluarës.
Kreu i Kuvendit tha se vetëm në pesë vitet e fundit ka afër 6000 mijë raste të raportuara të dhunës në familje, por kushedi sa të tjera janë që nuk raportohen fare.
Në vazhdim të fjalës së tij, kryeparlamentari Veseli tha se Kosova ka ndërtuar një bazë të mirë ligjore, e cila adreson çështjen e dhunës në familje. "Më 2010 Kuvendi ka nxjerrë një ligj të veçantë për mbrojtje nga dhuna në
familje. Por kjo nuk mjafton. Problemet kryesore lidhen me faktin se në shumë raste, mekanizmat e ligjit, policia dhe gjyqësia, hezitojnë ose injorojnë raportimet për dhunën në familje. Kjo ka sjell edhe tek raste tragjike kur femrat kanë rënë edhe viktimë e mos parandalimit të dhunës në familje. Ato edhe kanë humbur jetën, siç është rasti i fundit në Suharekë",
theksoi kryetari i Kuvendit, ndërsa shtoi se fajtor por moszbatimin e ligjit është edhe mentaliteti i vjetër patriarkal, që në shumë situata legjitimon dhunën në familje. Ky mentalitet, shtoi kryetari Veseli, duhet të çrrënjoset njëherë e përgjithmonë, duke hapur rrugë që krahas vlerave të çmuara tradicionale, shoqëria jonë të përvetësojë edhe vlerat moderne të lirisë, të të drejtave të individit dhe emancipimit.
Kryetarja e Grupit të Grave Deputete, Blerta Deliu-Kodra, këto ditë i konsideroi rëndësishme për ngritjen e vetëdijes karshi rasteve në rritje të dhunës dhe për të sensibilizuar opinionit kundër këtij fenomeni. Ajo tha se statistikat fundit të Rrjetit të Grave të Kosovës, nxjerrin në pah se 62 për qind e qytetarëve të Kosovës kanë përjetuar një lloj të dhunës. 
"Familja, shoqëria, organet e drejtësisë e mbi të gjitha shteti, duhet të japin mesazh të qartë se dhuna nuk do të lejohet dhe se ne rast se ajo ushtrohet, do të dënohet, se gruaja është qenie e barabartë me burrin dhe se ajo i gëzon të gjitha të drejtat e garantuara më Kushtetutë, ligje dhe konventa ndërkombëtare", theksoi Deliu-Kodra.
Në këtë ceremoni, nga një fjalë rasti mbajtën edhe përfaqësuesja e UNDP-së, Alessandra Roccasalvo dhe deputeti Blerim Grainca.

Po sot, në kuadër të Ditës ndërkombëtare kundër dhunës në familje, me moton "Edhe ne kemi të drejtë", kryetari Veseli, mori pjesë dhe mbajti një fjalë rasti në ceremoninë e cila u mbajt në Kuvendin Komunal të Mitrovicës.
Në fjalën e tij para të pranishmëve, kryeparlamentari Veseli tha se dhuna ndaj gruas e shpërfytyron familjen, cenon moralin dhe shëndetin e shoqërisë sonë. Ai bëri thirrje që të veprohet çdo ditë që dhuna në familje të mos ketë perspektivë.

 

321