Lajmet e fundit
Mbledhja e Komisionit për Arsim,Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini dhe Sport
E Marte, 24.11.2015
Shqyrtimi në parim i Projektligjit nr.05/L-074 për Arsimin e Lartë në Republikën e Kosovës, ishte pikë e parë ë rendit të ditës në mbledhjen e sotme të Komisionit për Arsim,Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini dhe Sport, të kryesuar nga Nait Hasani, kryetar i Komisionit, e ku merrte pjesë edhe ministri i Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, dr. Arsim Bajrami. Duke prezantuar këtë Projektligj para Komisionit, ministri Bajrami theksoi në fillim se Projektligji është ligj sistemor shumë i rëndësishëm dhe përbën ndryshim substancial të Ligjit ekzistues, me të cilin synohet të rregullohet baza juridike e veprimtarisë së arsimit të lartë në Kosovë. Me ligjin e ardhshëm synohet edhe vendosja e standardeve të larta për themelimin e universiteteve, funksionimin sa më të mirë të tyre;përcaktohen kritere të reja dhe njëkohësisht mënyra të reja të menaxhimit, sistem i ri i qeverisjes, përcaktohet roli i senatit, këshillit drejtues etj.
Si në fjalën e ministrit Bajrami, ashtu edhe në debat, u theksua se ka hapësira për të përmirësuar tekstin e Projektligjit. Të gjithë diskutuesit pajtoheshin se duhet të pasojë një angazhim i veçantë i deputetëve të këtij Komisioni në mënyrë që ai të procedohet sa më parë në Kuvend dhe të amendamentohet e miratohet sa më shpejt, në mënyrë që zgjedhjet e parakohshme në Universitetin e Prishtinës të bëhen në bazë të Ligjit të ri, e jo me ligjin ekzistues. Në përfundim te debatit, Komisioni përkrahu në parim Projektligjin nr.05/L-074 për Arsimin e Lartë në Republikën e Kosovës dhe e procedoi tutje në Kuvend.
Temë e mbledhjes së sotme ishte edhe raportimi i z. Arsim Bajrami, lidhur me gjendjen në Arsimin e Lartë, që ishte ngushtë i lidhur me pikën e parë, sepse çdo gjë ndërlidhej me faktin se Ligji i ri mbi arsimin e lartë do të krijojë kushte për stabilizim sa më të shpejtë të gjendjes në Universitetin e Prishtinës dhe përgjithësisht në arsimin e lartë në Kosovë. Përkitazi me gjendjen në UP, ministri Bajrami theksoi se ky universitet qe një vit e gjysmë ballafaqohej me probleme. Problemet ishin shqetësuese , meqë ishin bllokuar mbledhjet e senatit,pra nuk ishte në funksion ky forum, kishte polarizime të grupeve të interesit dhe interferime. Pasoi pastaj edhe shkarkimi i rektorit Ramadan Zejnullahu, veprim ky që ishte i pabazuar nga ana ligjore. "Në këtë situatë kam marrë vendim që rektori Zejnullahu të kthehet në detyrën e tij", theksoi z. Bajrami. Në vijim ministri Bajrami theksoi se tashmë është tejkaluar kjo situatë, ndërsa pritet që Qeveria e Kosovës të miratojë udhëzimin administrativ për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshëm në Universitetin e Prishtinës. Kjo është një zgjidhje kompromisi, pohoi ai. Përkitazi me mendimin e shfaqur se mos është vonuar ministri me veprimet e veta, ministri Bajrami tha se Ministria ka ndërhyrë kur është shkelur Ligji.
Në mbledhje u përmend edhe çështja e teksteve shkollore, të dërguara nga ana e Kosovës për nxënësit e Luginës së Preshevës, të cilat Serbia nuk po lejon të përdoren. "Si në këtë rast, ashtu edhe kur është fjala për njohjen e diplomave do të aplikohet parimi i reciprocitetit", theksoi ministri Bajrami.