Lajmet e fundit

Në prag të Festës së 28 Nëntorit, kryetari Veseli priti një grup studentësh

E Marte, 24.11.2015




Në prag të Festës së 28 Nëntorit - Ditës së Flamurit dhe shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, ka takuar sot në Kuvend një grup prej 100 studentësh të Universitetit të Prishtinës "Hasan Prishtina".


Kryetari Veseli u shpreh i privilegjuar që gjendet në mesin e studentëve, vetëm disa ditë para festës së madhe të 28 Nëntorit, duke ndarë me ta këtë pjesë të krenarisë kombëtare.


"28 Nëntori është një emocion i veçantë për të gjithë ne, sepse në këtë ditë përkujtojmë aktin e ngritjes së flamurit në Vlorë dhe themelimin e shtetit shqiptar, përkujtojmë sakrificën e të gjithë atyre heronjve, dëshmorëve dhe martirëve, të cilat ranë në altarin e lirisë. Kjo ditë është e shenjtë për të gjithë shqiptarët, ashtu siç është i shenjtë edhe flamuri ynë kombëtar. Por, ky flamur dhe kjo datë, në asnjë mënyrë dhe në asnjë moment nuk duhet të shërbejnë për ndarje midis nesh. Përkundrazi. Ato duhet të na bashkojnë, si në çdo festë tjetër. Ne jemi krenarë me flamurin tonë kombëtar", tha në fjalën e tij para studentëve kryetari Veseli.


Kreu i Kuvendit shtoi se flamuri kombëtar dhe ai shtetëror, simbolikisht, janë si një organizëm i cili në njërën anë ka zemrën dhe në tjetrën anë mushkëritë me të cilat merr frymë.


"Të dy duhet respektuar njëtrajtshëm. Nuk duhet lejuar të krijohet dualizëm dhe konfuzion midis dy flamujve. Pa flamurin kombëtar dhe gjakun e derdhur për liri, nuk do të ishte as flamuri i shtetit, me të cilin sot Kosova integrohet si shtet i pavarur dhe sovran në mekanizmat ndërkombëtarë. Për këtë arsye, flamurin kombëtar duhet ta mbrojmë si sytë e ballit, si identitet të kombit tonë, por në të njëjtën kohë Kosovës i duhet edhe flamuri i saj shtetëror, si dëshmi se ajo është shtet i pavarur dhe sovran, i të gjithë qytetarëve të saj, duke respektuar të gjitha komunitetet në mënyrë të barabartë", theksoi në vazhdim kryetari i Kuvendit.


Kryetari i Kuvendit përgëzoi studentët dhe të gjithë shqiptarët me rastin e kësaj feste, me urimin që të kenë një jetë më të mirë dhe të jenë më të bashkuar në procesin e integrimeve globale dhe euro-atlantike.


Studentët, të mbështjellë me flamuj kombëtarë e shtetërorë, falënderuan kryetarin Veseli për hapjen e dyerve të Kuvendit në prag të kësaj dite të shënuar dhe i uruan atij festën e madhe kombëtare.

 Në prag të Festës së 28 Nëntorit, kryetari Veseli priti një grup studentësh Në prag të Festës së 28 Nëntorit, kryetari Veseli priti një grup studentësh Në prag të Festës së 28 Nëntorit, kryetari Veseli priti një grup studentësh Në prag të Festës së 28 Nëntorit, kryetari Veseli priti një grup studentësh