Lajmet e fundit

Mbledhja e Komisionit për Zhvillim Ekonomik...

E Marte, 24.11.2015




Buxheti për vitin e ardhshëm i ministrive: MZHE, MI, MTI dhe agjencioneve të pavarura, (ARKEP, KPMM, AAC, AKK, AKP, ZRRE, ARH), ishte temë e debatit të sotëm në mbledhjen e Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri, kryesuar nga Muhamet Mustafa, kryetar i komisionit.

Me këtë rast, disa nga përfaqësuesit e këtyre organizatave, kërkuan rritje të buxhetit, në mënyrë që të përmbushin objektivat e tyre për realizimin e projekteve kapitale. Rritje të buxhetit kërkuan edhe përfaqësuesit e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë (MTI), si dhe ata të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik (MZHE).

Kërkesave të këtyre agjencioneve, ndërkaq, iu është përgjigjur zv. ministri i Ministrisë së Financave, Agim Krasniqi. Ai tha se Projektbuxheti për vitin 2016 (i cili është miratuar nga Kuvendi në lexim të parë), paraprakisht i është nënshtruar një debati të gjerë, në të cilin agjencionet kanë pasur rastin të paraqesin kërkesat buxhetore. Aktualisht, vijoi ai, është e vështirë të ndryshohet projektbuxheti, përveç kur rrezikohet ushtrimi i veprimtarisë së paraparë të ndonjë agjencioni, ose, të ndonjë rasti specifik me interes të veçantë për vendin. Ai kërkoi nga agjencionet, sidomos prej atyre që realizojnë të hyra buxhetore, që të jenë më të kujdesshme dhe të riorganizohen, në mënyrë që të mos jenë barrë e buxhetit të shtetit. Në fund, zv. ministriKrasniqi, tha se me rishikimin e buxhetit (në qershor), edhe një herë do të trajtohen kërkesat dhe nevojat e agjencioneve, ndërkaq, disa prej tyre do të mund të adresojnë kërkesat edhe tani në Komisionin për Buxhet dhe Financa.

Në këtë mbledhje, komisioni ka shqyrtuar dhe miratuar edhe Raportin me amendamente të Projektligjit për Energjinë Termike.

Amendamentet lidhur me këtë projektligj i paraqiti, kryesuesi i grupit punues, deputeti, Fatmir Rexhepi.

 

 Mbledhja e Komisionit për Zhvillim Ekonomik...