Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Kryesisë së Kuvendit
E Hënë, 23.11.2015
Mbledhja plenare e radhës e Kuvendit të Republikës së Kosovës do të mbahet të hënën, më 30 nëntor, në orën 11:00, në të cilën pritet të shqyrtohen një sërë projektligjesh, raportesh e rekomandimesh.
Kështu vendosi sot Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës, në mbledhjen e përbashkët me kryetarët e grupeve parlamentare, të drejtuar nga kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli.
Në mbledhjen e 30 nëntorit, pas pikave të rëndomta të mbledhjeve të rregullta plenare: kohës për deklarime jashtë rendit të ditës dhe kohës për pyetje parlamentare, Kuvendi do të vazhdojë punën konform funksionit të tij ligjvënës. Kështu, fillimisht, pritet të shqyrtohen dy projektligje që kanë të bëjnë me ratifikimin e dy marrëveshjeve ndërkombëtare: Projektligji për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Dukatës së Madhe të Luksemburgut dhe Projektligji për ratifikimin e Marrëveshjes bilaterale ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Dukatës së Madhe të Luksemburgut për Projektin e Bashkëpunimit për Zhvillim: "KSV/018: Mbështetje Institucionale dhe Teknike për Sistemin e Furnizimit me Ujë në Rajonin e Mitrovicës". Më pas, deputetët do të shqyrtojnë për herë të parë 11 projektligje:
Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 03/L-048 për menaxhimin e financave publike dhe përgjegjësitë, i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjet nr. 03/L-221, nr. 04/L-116 dhe nr. 04/L-194, Projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit nr. 04/L-042 për prokurimin publik të Republikës së Kosovës, i plotësuar dhe ndryshuar me Ligjin nr. 04/L-237,
Projektligjin për Auditorin e Përgjithshëm dhe Zyrën Kombëtare të Auditimit të Republikës së Kosovës, Projektligjin për administrimin e pasurisë së sekuestruar dhe të konfiskuar, Projektligjin për profesionet e rregulluara në Republikën e Kosovës, Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 02/L-31 për lirinë fetare në Kosovë, Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 03/L-224 për Këshillin Prokurorial të Kosovës, Projektligjin për Mjekësinë Ligjore, Projektligjin për patentë shofer, Projektligjin për Shërbimin e Jashtëm të Republikës së Kosovës dhe
Projektligjin për statusin dhe të drejtat e personave paraplegjikë dhe tetraplegjikë.
Për herë të dytë, ndërkaq, do të shqyrtohet Projektligji për letërnjoftimin dhe Projektligji për sigurimet.
Puna e Kuvendit do të vazhdojë me zgjedhjen e një anëtari joekzekutiv të Bordit të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, zgjedhjen e një anëtari të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës, shqyrtimin e rekomandimit të Komisionit të posaçëm për zgjedhjen e dy gjyqtarëve në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës, emërimin e kryesuesit dhe anëtarëve të Bordit Drejtues të Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës dhe emërimin e anëtarëve të Këshillit për Ndihmë Juridike Falas.
Në rend dite të kësaj mbledhjeje të Kuvendit, do të jenë edhe pesë raporte. Kështu, deputetët do të shqyrtojnë raportin e Komisionit për Punë të Jashtme për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për Shërbimin Konsullor, të misioneve diplomatike dhe konsullore të Republikës së Kosovës, raportin e Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare për vitin 2014, raportin për gjendjen e mjedisit në Kosovë për vitin 2015, raportin e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Persona të Pagjetur dhe Peticione për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për personat e verbër, si dhe raportin vjetor financiar të Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm për vitin 2014.
Mbledhja do të vazhdojë me shqyrtimin e rekomandimeve lidhur me raportin e auditimit për pasqyrat financiare të Ministrisë së Integrimeve Evropiane për vitin 2014, rekomandimeve lidhur me raportin e auditimit të performancës për mirëmbajtjen dhe servisimin e veturave zyrtare, si dhe raportit të auditimit të pasqyrave financiare për Ministrinë e Administratës Publike, Këshillin Gjyqësor të Kosovës, Doganën e Kosovës dhe Policinë e Kosovës për vitin 2014, rekomandimeve lidhur me raportin e auditimit të Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm për vitin 2014, si dhe rekomandimeve të Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri lidhur me pozitën aktuale të prodhuesve dhe përpunuesve në industrinë e qumështit.
Deputetët do të shqyrtojnë, gjithashtu, kërkesën e kryetarit të Komunës së Prishtinës për dhënien e pëlqimit për rinovimin e sheshit "Adem Jashari" në Prishtinë dhe pritet të formohet Komisioni Ad-hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për anëtarë të Bordit të Radio Televizionit të Kosovës.
Pikë e fundit e rendit të ditës do të jetë propozimi i GP të Listës Serbe për zëvendësimin e anëtarëve në komisione parlamentare.
Në mbledhjen e sotme të Kryesisë, u diskutua edhe për zhvillimet e kohëve të fundit në Kuvendin e Kosovës dhe u theksua domosdoshmëria e normalizimit të gjendjes, në mënyrë që institucioni më i lartë ligjvënës, mbikëqyrës dhe përfaqësues i vendit, të ushtrojë normalisht funksionet dhe detyrat e tij kushtetuese e ligjore. Në funksion të kësaj, u adresua edhe njëherë kërkesa për partitë opozitare që t'i kthehen jetës së rregullt parlamentare dhe shqetësimet e tyre t'i ngrisin brenda Kuvendit.
Kryesia diskutoi edhe çështje të tjera nga fushëveprimtaria e saj.