Lajmet e fundit
Nga dëgjimi publik i Komisionit për Zhvillim Ekonomik...
E Hënë, 23.11.2015
Mbikëqyrja e zbatimit të Ligjit për Standardizim, ishte temë e debatit të sotëm në dëgjimin publik, të organizuar sot nga Komisioni për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri.
Takimi është kryesuar nga Fatmir Rexhepi, kryesues i grupit punues për monitorimin e këtij ligji, ndërkaq, pjesëmarrës në të ishin edhe përfaqësues të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, Institutit INDEP, prodhues, si dhe përfaqësues të Odës Ekonomike të Kosovës.
Gjatë debatit, të pranishmit vlerësuan se harmonizimi i standardeve të prodhimit vendor me ato ndërkombëtare, është i domosdoshëm, duke pasur parasysh edhe obligimet që dalin pas nënshkrimit të marrëveshjes së MSA-së.
Është folur po ashtu, për mbështetjen e prodhuesve vendorë, si dhe mënyrën e arritjes së standardeve më të larta të prodhimit, për të qenë konkurrentë të denjë në tregun ndërkombëtar.
Në fund të diskutimeve, kryesuesi tha se rekomandimet do të shqyrtohen dhe pas analizës së tyre do të inkorporohen në raportin përfundimtar, të cilin, komisioni do t'ia paraqesë Kuvendit.