Lajmet e fundit
Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të të Drejtave të Fëmijëve, një grup fëmijësh vizituan Kuvendin
E Premte, 20.11.2015
Me rastin 20 nëntorit - Ditës Ndërkombëtare të të Drejtave të Fëmijëve, një grup fëmijësh nga qendra të ndryshme të Kosovës, nëpërmjet organizatës "Syri i Vizionit" dhe në partneritet me "Save the Children", ka vizituar sot Kuvendin e Republikës së Kosovës.
Fëmijët u pritën nga deputetë të Kuvendit, njëherësh anëtarë të Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Persona të Pagjetur dhe Peticione: Lirie Kajtazi, kryetare e komisionit, Salihe Mustafa, zëvendëskryetare e parë, Kujtim Paçuku, anëtar, si dhe kryetarja e Grupit të Grave Deputete, Blerta Deliu-Kodra.
Fëmijët bashkëbiseduan me ligjvënësit për çështje që lidheshin me aspekte organizative dhe të punës së Kuvendit, ndërsa, në mënyrë të veçantë, u diskutua për angazhimet e legjislativit në mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të fëmijëve, nëpërmjet kodifikimit ligjor të tyre.
Në vazhdim, përfaqësues të asambleve komunale të fëmijëve nga qendrat kryesore të Kosovës, prezantuan rekomandimet e raportit "Realiteti Ynë", të dala nga monitorimi i Konventës për të Drejtat e Fëmijëve. U prezantuan gjithashtu, edhe shpresat e fëmijëve për 15 vitet e ardhshme, të evidentuara nga kampanja hulumtuese "Gara për mbijetesë", të cilat në shtator të këtij viti, i janë dorëzuar Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, krahas shpresave të fëmijëve nga shumë vende të tjera të botës.
Gjatë kësaj vizite, fëmijët ishin të shoqëruar nga koordinatorët komunalë për të drejtat e njeriut.