Lajmet e fundit

Mbledhja e Kuvendit

E Marte, 17.11.2015




Mbledhja e sotme e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës, e kryesuar nga kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, në të cilën, me kërkesë të Qeverisë u shqyrtua për herë të parë Projektligji për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2016, u zhvillua në kushte të rënda, pas ndërhyrjeve dhe hedhjes së gazit lotsjellës nga ana e deputetëve të opozitës. Pas ndërprerjes së seancës, deputetët e pozitës vazhduan punën në një sallë tjetër të Kuvendit. Kjo gjendje, theksoi Kadri Veseli, na u imponua, pasi vazhdimi i seancës në sallën e mbledhjeve plenare ishte i pamundur.


Në fillim të seancës fjalën e mori kryeministri i Qeverisë së Kosovës, Isa Mustafa, i cili pasi përshëndeti ambasadorët, shprehu papajtueshmërinë me sjelljen e opozitës, duke e quajtur atë të patolerueshme. Ai kërkoi që institucionet përkatëse të Kosovës të marrin masa në bazë të ligjit për të dënuar dhe ndërprerë këto veprime të dhunshme."Nuk duhet të ketë hezitime kur është fjala për vazhdimin e punës së Kuvendit", theksoi kryeministri Isa Mustafa. Në vijim zëvendëskryeminstri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Hashim Thaçi, theksoi se përsëri deputetët e pozitës u ballafaquan me sukses kundër veprimeve kriminale të opozitës për të penguar punën e Parlamentit të Kosovës edhe me dhunë fizike."Këto janë veprime të dhunshme dhe definitivisht kriminale", theksoi ai.


Në vijim kryekuvendari Kadri Veseli njoftoi deputetët se duhet votuar për shmangie nga Rregullorja për shqyrtimin e Projektligjit për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2016, duke theksuar se shqyrtimi i dytë i këtij Projektligji duhet të bëhet më së largu deri më 9 dhjetor. Kryetarët e grupeve parlamentare e përkrahën këtë propozim, e pastaj edhe u votua për shmangie nga Rregullorja, duke u hapur kështu rruga për shqyrtim të Projektligjit.


Projektligjin para deputetëve e prezantoi ministri i Financave, Avdullah Hoti, i cili theksoi se Projektligji adreson objektivat zhvillimore të Kosovës dhe është harmonizuar me politikat e Fondit Monetar Ndërkombëtar. Buxheti , theksoi ai, dedikohet për objekte të rëndësisë së veçantë për vendin.


Disa nga rrjedhat buxhetore për vitin e ardhshëm para deputetëve i paraqiti edhe kryeministri Isa Mustafa, i cili theksoi se buxheti i Kosovës në vitin 2016 pritet të jetë dy miliardë euro. Projektligji, tha Isa Mustafa, do të mundësojë zhvillim të mëtejmë ekonomik, ndaj kërkoi që nga deputetet të miratohet në parim.


Në emër të Komisionit për Buxhet dhe Financa para deputetëve Projektligjin e prezantoi, kryetari i këtij Komisioni, Naser Osmani, i cili theksoi ndër të tjera se rritja ekonomike në vitin e ardhshëm do të jetë 4 për qind në raport me brutoprodhimin vendor. Projektligji mundëson buxhet stabil dhe është në pajtim me Rregullën fiskale prej 2 për qind. Në emër të grupeve parlamentare, PDK-ës,LDK-ës dhe Listës Serbe, Projektligjin e përkrahën në parim, përkatësisht Labinotë Demi-Murtezi,Naser Osmani dhe Sllavko Simiq,ndërkaq, shefi i Grupit parlamentar 6+, Fikrim Damka, tha se ky grup do të abstenojë gjatë votimit për shkak të pakënaqësisë me ndarjen e mjeteve për komunitete. Në përfundim të debatit, Kuvendi miratoi në parim Projektligjin për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2016.


Deputetët e Kuvendit të Kosovës me një minutë heshtje nderuan viktimat që pësuan nga sulmet terroriste në Paris.

Mbledhja e KuvenditMbledhja e KuvenditMbledhja e KuvenditMbledhja e Kuvendit