Lajmet e fundit

Anëtarët e Komisionit për Integrime Evropiane pritën znj. Luncek

E Marte, 10.11.2015




Në kuadër të vizitës së saj në Kosovë,nënkryetarja e Parlamentit Evropian,njëherësh raportuese për Kosovën në PE, znj.Ulrike Lunacek, është pritur sot në Komisionin për Integrime Evropiane, me anëtarët e të cilit ka biseduar lidhur me rëndësinë e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit për të ardhmen evropiane të Kosovës, për procedurën e ratifikimit të saj në Parlamentin Evropian, për proceset integruese evropiane të Kosovës, përfshirë edhe liberalizimin e vizave, si dhe për domosdoshmërinë e dialogut politik në Kosovë dhe normalizimin e jetës institucionale.

Deputeti, Arben Gashi, i cili në mungesë të kryetares së Komisionit, znj. Sahatqija, e ka drejtuar takimin, e ka falënderuar Parlamentin Evropian për angazhimet rreth Kosovës, si dhe vetë zonjën Lunacek për mbështetjen e pakursyer për vendin tonë. Ai në vazhdim ka folur për fushëveprimin dhe punën e Komisionit për Integrime Evropiane, për rolin në rritje që do ta ketë Komisioni pas nënshkrimit të MSA-së, por ka folur edhe për vështirësitë e punës së komisionit dhe të gjithë Kuvendit për shkak të protestave të opozitës edhe brenda institucionit.

Marrëveshja e Stabilizim Asociimit është shumë e rëndësishme për të ardhmen evropiane të Kosovës, ka theksuar znj Lunacek, duke folur para anëtarëve të Komisionit. Ajo ka sqaruar procedurat që duhen ndjekur Parlamenti Evropian para se ta miratojë MSA-në për Kosovën, siç janë mendimi i Komisionit Parlamentar për Tregti Ndërkombëtare, mendimin e Komisionit për Politikë të Jashtme etj. Ajo është pajtuar me vlerësimet e shprehura të anëtarëve të Komisionit se qytetarët e Kosovës janë qytetarë të Evropës, prandaj BE-ja duhet t'i liberalizojë vizat për ta, duke u shprehur e bindur se popullsia numerikisht e vogël e Kosovës, assesi nuk mund ta rrezikojë stabilitetin e BE-së . Lunacek është shprehur optimiste për proceset integruese evropiane të Kosovës, por edhe e ka pranuar se në zgjedhjet e fundit është fuqizuar fryma proruse në PE.

Anëtarët e Komisionit, si :Vjosa Osmani, Ilir Deda, Rrustem Mustafa , Luljeta Veselaj-Gutaj dhe Kujtim Paqaku, janë shprehur të zhgënjyer me dështimin e anëtarësimit të Kosovës në UNESKO, duke e vlerësuar dështim të politikës së jashtme të Kosovës edhe për shkak të përqendrimit të lobimit për anëtarësim në shumë pak individ, për të mos thënë tek një emër i vetëm.

Në pyetjen e znj. Lunacek për rolin e Këshillit Kombëtar të Integrimeve Evropiane, anëtarët e Komisionit janë përgjigjur se ai shërben vetëm sa për t'u dukur në televizor. Ndonjëri prej tyre, ndërkaq, ka vlerësuar se për të qenë i suksesshëm ky Këshill, do të duhej të drejtohej nga opozita, për të ndërtuar qëndrim unik kombëtar për integrime evropiane, sikurse ka ndodhur me një këshill të tillë në Kroaci.

Në insistimin e deputetëve: Osmani, Deda dhe Gashi, për nevojën e dërgimit të marrëveshjeve të Brukselit ( nga dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë) për interpretim nga Komisioni i Venedikut, për shkak të mosbesim të deputetëve të opozitës në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës, Lunacek ka vlerësuar kredibilitetin e lartë të këtij komisioni, por ka kërkuar që përfaqësuesit politik të Kosovës duhet t'i besojnë Gjykatës Kushtetuese të vendit të tyre. Ajo,ndërkaq, ka theksuar se mosmarrëveshjet politike duhen zgjidhur ndërmjet Qeverisë dhe opozitës, duke e vlerësuar të domosdoshëm dialogun politik ndërmjet partive politike për normalizimin e jetës institucionale.

Nënkryetarja e Parlamentit Evropian, znj.Ulrike Lunacek , nga takimi i sotëm i ka ftuar anëtarët e Komisionit për Integrime Evropiane për një vizitë në Parlamentin Evropian, në Bruksel (në fillim të dhjetorit), për t'u takuar me drejtues të PE-së dhe me komisione të ndryshme parlamentare.

 

Anëtarët e Komisionit për Integrime Evropiane pritën znj. Luncek