Lajmet e fundit
Një delegacion i Komisionit për Administratë Publike...në vizitë pune në Agjensionin e Statistikave të Kosovës
E Hënë, 09.11.2015
Në kuadër të mbikëqyrjes së zbatimit të Ligjit për administratën publike, sot grupi punues i Komisionit për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media, i kryesuar nga Xhevahire Izmaku, vizitoi Agjensionin e Statistikave të Kosovës. Në kuadër të këtij delegacioni ishin edhe kryetari i Komisionit, Zenun Pajaziti, si dhe Sadri Ferati, zëvendëskryetar i parë i Komisionit. Duke i uruar mirëseardhje delegacionit, kryeshefi ekzekutiv i Agjensionit, Isa Krasniqi, në fillim i bëri një vështrim angazhimeve aktuale të agjensionit, si dhe sfidat me të cilat ballafaqohet ky institucion, i cili në bazë të Ligjit të Statistikave të Kosovës, vepron në kuadër të Zyrës së kryeministrit. Z. Krasniqi theksoi se në mbështetje të këtij Ligji, ASK-ja mat atë që ndodh brenda një viti në vend, ndërsa të dhënat që publikon ky institucion janë valide e përfundimtare dhe për këtë merr përgjegjësinë Agjensioni i Statistikave të Kosovës.
Në vijim kryeshefi ekzekutiv i Agjensionit, z. Krasniqi, i bëri një vështrim edhe strukturës së punonjësve të këtushëm, e në këtë kuadër edhe çështjes së parametrave statistikorë, duke mos harruar se çështja e mbledhjes së të dhënave është një çështje mjaft komplekse. Përkitazi me numrin dhe strukturën e punonjësve të këtushëm, u theksua se qëllim i agjensionit është avancimi i punës, përsosmëria, si dhe ngritja e kuadrove edhe në botën e jashtme. Udhëheqja e këtij agjensioni kishte ankesa sa i përket hapësirave të punës, ku vepron ASK-ja, të cilat nuk i plotësojnë kushtet e duhura.
Z.Pajaziti,z. Ferati si dhe znj. Izmaku, shprehën gatishmërinë për bashkëpunim të thelluar ndërmjet Kuvendit dhe këtij agjensioni, duke theksuar se kërkesat që ka ky agjension ndaj Kuvendit, që kanë për qëllim mbarëvajtjen e veprimtarisë, do të mbështeten nga ana e organit më të lartë ligjvënës në vend.