Lajmet e fundit
Në hollin e Kuvendit u vendos vitrina arkeologjike e Muzeut të Kosovës
E Diel, 08.11.2015
Në vigjilje të votimit për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO, me iniciativën e kryetarit të Republikës së Kuvendit, Kadri Veseli, sot në hollin e Kuvendit është vendosur vitrina arkeologjike e Muzeut të Kosovës, me reproduktime (kopje) të eksponateve të grabitura nga Serbia në vitin 1999.
Në hapje të kësaj ceremonie, kryetari Veseli foli për rëndësinë e votimit të nesërm në Paris, kur pritet t'i hapen dyert Kosovës për t'u bërë pjesë e UNESCO-s.
Ditën e nesërme, kryetari Veseli e cilësoi ditë të madhe dhe historike për Kosovën. Veseli tha se gjasat për pranim të Kosovës në këtë organizatë të rëndësishme ndërkombëtare, ku edhe e ka vendin, janë shumë të mëdha, pasi ka sinjale që edhe shtetet që nuk e kanë njohur Kosovën do të votojnë për anëtarësim.
"Kosova e meriton të jetë pjesë e UNESCO-s", tha kryetari Veseli, ndërsa paralajmëroi se menjëherë pas kësaj Kuvendi do të mblidhet në seancë solemne.
Kreu i Kuvendit tha se vendi ynë ka një trashëgimi jashtëzakonisht të pasur kulturore, ndërsa dëshmi e kësaj janë edhe këto eksponate që sot po ekspozohen në mjediset e Kuvendit.
"Falënderoj Muzeun e Kosovës për zbukurimin e hollit të Kuvendit me këto eksponate të vlefshme. Shumica e eksponateve janë ende në Beograd dhe presim që të kthehen në Kosovë", tha më tej kryeparlamentari Veseli.
Drejtoi i Muzeut të Kosovës, Skënder Boshtrakaj, tha se Muzeu është i nderuar që Kuvendi i Kosovës hap dyert për një pjesë të thesarit të tij të vlefshëm dhe se kjo ditë, sipas tij, shënon fillimin e një programi të ri të bashkëpunimit me Kuvendin.