Lajmet e fundit
Drejtori i Drejtorisë për Protokoll... në Kuvendin e Kosovës, Shaban Selimi reagon
E Premte, 06.11.2015
Në reagimin e z. Selimi thuhet:
" I nderuari z. Deputet Ismaili,
Ju drejtohem lidhur me çështjen e ngritur sot nga Ju në opinion përmes rrjetit social dhe të cituar nga disa media, "Lulat e pllastikës pranë foltores së Kuvendit të Kosovës..."
Ju njoftoj në emër të Drejtorisë për Protokoll dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare, se kjo nuk qëndron, pasi që lulet kanë qenë të freskëta dhe jo të plastikës, këtë ua kam bërë me dije edhe pas përfundimit të Seancës, fakt të cilën kemi mundur ta verifikojmë së bashku aty për aty.
Njëherësh, mirëpres një shpjegim objektiv nga ana e Juaj, rreth këtij rasti" thuhet në reagim.
Ndërkaq, duke e njoftuar shefin e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, për opinionin e pavërtetë të deputetit Fisnik Ismaili, drejtori për protokoll Selimi ka sqaruar:
"Si drejtori, në kuadër të përgjegjësive tona që kujdeset ndër të tjera edhe për dekorim të Sallës plenare me rastin e Seancave Solemne dhe të Veçanta, Ju informoj se me këtë rast sot kemi pranuar furnizime me lule të freskëta sipas porosisë sonë nga operatori ekonomik D.P.T. "Lulishtja Labi ", për këtë mund të ofrojmë dëshmi të vazhdueshme në çdo kohë.
Ju lutem, me deklarime të tilla të paqëndrueshme nuk është mirë të dëmtohet imazhi i Kuvendit të Republikës së Kosovës".