Lajmet e fundit
Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli zhvilloi takim me komisionarin Hahn
E Premte, 06.11.2015
Sot, kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, z. Kadri Veseli zhvilloi takim me komisionarin e BE-së për Politikat evropiane të fqinjësisë dhe Negociatave për zgjerim, z. Johannes Hahn.
Në takim u bisedua për shumë çështje që kanë të bëjnë më raportet aktuale të Kosovës me Bashkimin Evropian. Z. Hahn fillimisht përgëzoi institucionet e Kosovës për nënshkrimin e MSA-së, duke theksuar se "kjo marrëveshje gjeneron një potencial të madh për zhvillimin ekonomik të Kosovës, zgjerimin e marrëdhënieve tregtare të Kosovës me vendet e BE-së dhe stimulim për zhvillimin e mëtutjeshëm të demokracisë në Kosovë".
Më tutje, z. Hahn theksoi se presim një raport pozitiv të progresit të Kosovës dhe së shpejti edhe rekomandim nga BE-ja për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.
"Ky është rezultat i përpjekjeve të vetë institucioneve të Kosovës në përmbushjen e standardeve teknike e politike", theksoi ai.
Nga ana e tij, kryetari Veseli, potencoi faktin se Kosova është shumë e përkushtuar që të ecë më shpejt në proceset e integrimit evropian, për të shtuar se "MSA-ja është një e arritur e rëndësishme, ngase tashmë ne e kemi të qartësuar rrugën e integrimit, por ajo që na duhet është ecja më e shpejtë në të dy drejtimet: ne duhet të ecim më shpejt në rrugën evropiane, dhe kjo varet nga puna jonë".
"Ne i kemi të qarta obligimet tona, por edhe Bashkimi Evropian duhet të ecë më shpejt në raport me Kosovën dhe qytetarët e saj", theksoi kryekuvendari Veseli.
Në takim u bisedua edhe për krizën e refugjatëve me të cilën është duke u ballafaquar aktualisht BE-ja dhe bashkëbiseduesit u pajtuan se kjo krizë nuk ka pasur ndikim negativ në proceset nëpër të cilat është duke kaluar Kosova në raport me BE-në.
Lidhur me gjendjen e krijuar në Kuvendin e Kosovës, pas veprimeve të partive opozitare, z. Hahn theksoi se agjenda evropiane e Kosovës ka nevojë për një jetë parlamentare normale, sepse kjo është rruga e vetme që të shtyhen përpara aspiratat evropiane të Kosovës.
"Deputetët janë zgjedhur të punojnë, të nxjerrin ligje, e jo të defunksionalizojnë parlamentin", theksoi Hahn.
Kryetari Veseli nga ana e tij u shpreh se "vështirësitë aktuale janë sfiduese por institucionet e vendit, si dhe vetë partitë politike do të gjejnë shtegdalje, sepse të gjithë kemi të njëjtin vizion politik dhe të njëjtat qëllime lidhur me të ardhmen e Republikës së Kosovës".