Lajmet e fundit
Vizitë e Komisionit për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës
E Enjte, 05.11.2015
Komisioni për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale, ka realizuar sot një vizitë pune në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës. Fillimisht, komisioni wshtw pritur nw takim nga Drejtori i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës - SHSKUK-së, z. Curr Gjocaj, nw tw cilin ishin të pranishëm edhe Kryesuesi i Bordit Drejtues të SHSKUK-së z. Sadik Llullaku, Drejtori i Klinikes së Kardiokirurgjisë z. Raif Qavolli, Drejtori i Klinikes së Pediatrisë z. Muharrem Avdiu, Drejtoresha e Klinikes se Neonatologjise, znj. Mynavere Hoxha. Kurse nga ana e Komisionit, ishin të pranishëm: Flora Brovina, kryetare e Komisionit për Shëndetësi, Punw dhe Mirëqenie Sociale, z. Fikrim Damka, anëtar i komisionit, znj. Njomza Emini, anëtare, Fadil Beka, anwtar i komisonit dhe Znj. Safete Hadërgjonaj, zv. kryesuese e Komisioni për Buxhet dhe Financa.
Kryetarja Flora Brovina tha se qëllimi i takimit është njohja nga afër me punën që bëhet në SHSKUK, sidomos në Shërbimin e Kardiokirurgjisë, Klinikën e Neonatologjisë dhe atë të Pediatrisë. " Ne kemi pasur disa takime në vendet e rajonit, kemi parë punën që bëhet në Shqipëri dhe Mal të Zi dhe erdhëm të ju vizitojmë, e të shohim mundësinë që të rritet bashkëpunimi rajonal".
Anëtarët e Komisionit për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale të Kuvendit të Republikës së Kosovës, gjatë ditës së sotme kanë vizituar Shërbimin Spitalor Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK) dhe nga drejtori i përgjithshëm i SHSKUK-së, bordi drejtues si dhe nga profesionistët shëndetësorë janë njoftuar në lidhje me gjendjen aktuale në njësitë përbërëse të SHSKUK-së, sfidat, problemet dhe aktualitetet tjera.
Në takim, drejtori Curr Gjocaj, njoftoi komisionin në lidhje me raportin nëntëmujor të punës për të gjitha njësitë përbërëse të SHSKUK-së, duke sqaruar se janë kryer mbi 29.000 operacione dhe mijëra vizita dhe ekzaminime tjera mjekësore. "Edhe pas formimit të SHSKUK-së, buxheti ka mbetur i njëjti, madje ka pasur zbritje në shumë kategori. Edhe pse patëm shpresuar se do të hyjë në funksion Ligji për Sigurime Shëndetësore, kjo nuk ndodhi dhe ne kemi mbetur me buxhetin e vjetër", njoftoi dr. Gjocaj.
Ai tha se përkundër faktit se hapen shumë shërbime të reja, SHSKUK nuk po ka mundësi të shtojë numrin e të punësuarve mjekë dhe infermierë. Sipas tij, SHSKUK ka nevojë edhe për pajisje të reja, meqë shumë nga to janë vjetruar dhe amortizuar, por buxheti aktual e pamundëson blerjen e tyre.
Megjithatë, sipas tij, SHSKUK ka përfituar nga donacionet vetëm këtë vit mbi 12 milionë euro për projekte të ndryshme dhe 2.6 milionë euro barna dhe material shpenzues.
Dr. Sadik Llullaku, kryesues i Bordit Drejtues të SHSKUK-së, njoftoi se SHSKUK është formuar bazuar në Ligjin në Ligjin për Shëndetësi.
"Bordi drejtues si organi më i lartë drejtues i SHSKUK-së ka punuar dhe po punon në drejtim të përmirësimit të shërbimeve shëndetësore. Sipas tij, është punuar shumë në furnizimin me barna dhe material shpenzues, megjithëse ka disa barna të shtrenjta që ende kanë mbetur barrë e SHSKUK-së, e që në fakt janë pacientë ambulatorë. Ai propozoj se ndoshta këto barna do të ishte mirë të siguronte Ministria e Shëndetësisë.
Po ashtu, dr. Llullaku tha se prej formimit të SHSKUK-së, është bërë punë e mirë dhe se është optimist se me zhvillimin e disa projekteve të reja me investime, por edhe nga donatorët, brenda 2-3 vjetëve do të ketë përmirësime të dukshme.
Lidhur me shqetësimet buxhetore dhe nevojën e investimeve më të mëdha në SHSKUK, foli edhe dr. Shemsi Veseli, anëtar i Bordit Drejtues SHSKUK. Sipas tij, SHSKUK nuk po ka mundësi të punësojë subspecialistët dhe ata po detyrohen të dalin jashtë vendi si kuadro të gatshme për punë. Ai propozoi që të shihet mundësia që kuadër të Qendrave të Mjekësisë Familjare të punësohen edhe specialistë të caktuar dhe jo vetëm mjekët familjarë.
Znj. Safete Hadërgjonaj, zv. Kryesuese e Komisionit pwr Buxhet, tha se bazuar në buxhetin e propozuar në vitin 2016, nuk pritet të ketë risi për SHSKUK. "Kryesisht bëhet fjalë për projekte të bartura nga viti i kaluar, por nuk ka ndonjë rritje buxhetore. Mendoj se duhet të krijohet një sistem dhe një kontrollim dhe monitorim më i mirë i shfrytëzimit të buxhetit", theksoi znj. Hadërgjonaj.
Dr. Raif Qavolli, Ud. Drejtor i Shërbimit të Kardiokirurgjisë, theksoi se janë riorganizuar dhe me gjithë vështirësitë dhe sfidat, është arritur që të operohen 6 pacientë dhe se nevojitet përkrahje e vazhdueshme buxhetore për të investuar në zhvillimin e mëtejmë.
Dr. Mynevere Hoxha, Drejtoreshë e Klinikës së Neonatologjisë prezantoi nevojat që ka kjo klinikë për pajisje të reja dhe rezultatet e punës.
"Në vitin 1999 vdekshmërinë e foshnjave e kishim 31 promilë, tani ka rënie në 9.1 promilë për foshnjat që lindin në Klinikën e Gjinekologjisë dhe kjo është sukses i madh", përfundoi dr. Hoxha.
Për Klinikën e Pediatrisë, foli dr. Muharrem Avdiu, i cili po ashtu prezantoi kërkesat për investime në këtë klinikë.
Znj. Lirije Beqiri, koordinatore e infermierisë në nivel të SHSKUK-së, tha se në nivel të SHSKUK-së- QKUK ka mungesë të 150 infermierëve.
Në takim u bisedua edhe në lidhje me kërkesat e tjera që ndërlidhen me zhvillimin e klinikave në QKUK dhe SHSKUK në përgjithësi.
Komisioni pas përfundimit të takimit vazhdoj me vizita nëpër keto klinika, Klinikën e Kardiokirurgjisë, Klinikën e Pediatrisë, Klinikën e Neonatologjise, ku u njoftua drejtpërsëdrejti me të arriturat si dhe me vështirësitë në punën e tyre.