Lajmet e fundit

Komisioni për Çështje Politike dhe Demokraci të Asamblesë Parlamentare të KE-së u mblodh në Paris

E Enjte, 05.11.2015




Në Paris, u mbajt mbledhja e Komisionit për Çështje Politike dhe Demokraci të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, ku mori pjesë edhe një delegacion i Kuvendit të Republikës së Kosovës, në përbërje nga Xhavit Haliti dhe Sabri Hamiti.


Në pikën e pestë të mbledhjes, raportuesi për Kosovën, z. Augustin Conde prezantoi Memorandumin Hyrës të raportit për situatën në Kosovë dhe rolin e Këshillit të Europës (KiE), raport i cili është në përgatitje e sipër.


Conde prezantimin e tij e filloi me përshkrimin e gjendjes ekonomike të Kosovës, të cilën e cilësoi si shumë të rëndësishme. Në këtë kuadër, z. Conde përmendi zvogëlimin e rritjes ekonomike, nepotizimin dhe korrupsionin, si probleme me të cilat autoritetet e Kosovë duhet të ballafaqohen vendosmërisht në mënyrë që gjendja ekonomike të përmirësohet.


Raportuesi Conde i cilësoi zgjedhjet e vitit 2014 në Kosovë si të suksesshme edhe pse theksoi se dalja në zgjedhje ishte e ulët. Ai përmendi bisedimet e Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, marrëveshjet e arritura dhe kundërshtimin e opozitës në Kosovë të këtyre marrëveshjeve. Po ashtu ai përmendi nënshkrimin e MSA-së me BE-në dhe nismat e Kosovës për anëtarësim në organizata ndërkombëtare. Në raportin e Contes u përmenden edhe veprimet (hedhja e gazit lotsjellës) e opozitës në sallën e Kuvendit të Kosovës, të cilat u vlerësuan të papranueshme.


Një debat të fortë ngjalli, diskutimi i znj. Gjuroviq, përfaqësuese e Kuvendit të Serbisë në këtë Komision, e cila akuzoi Kosovën se nuk ka bërë asgjë për qytetarët serbë, i akuzoi institucionet e Kosovës dhe shqiptarët në përgjithësi si islamistë, Kosovën e akuzoi si një lloj shteti jofunksional, me institucione të cilat nuk janë në gjendje të vendosin siguri as edhe në Kuvend, dhe si vend, ku sundon krimi etj. Akuzat ishin pothuajse të ngjashme me ato që janë bërë që nga koha e demonstratave të vitit 1981 e këndej. Ajo foli edhe për grafite të ndryshme të shkruara nëpër mure të kishave ortodokse në Kosovë, duke thënë që Kosova nuk e meriton anëtarsimin në UNESCO.


Pas znj. Gjuroviq fjalën e mori nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, z. Xhavit Haliti, i cili fillimisht e cilësoi raportin e prezantuar te z. Conde si të balancuar deri në këtë fazë ku është arritur. Ai e inkurajoi z. Conde të vazhdojë me një qasje të tillë në raportin e tij.


Sipas z. Haliti, orientimet e Kuvendit të Kosovës janë që : (1) të zhvilloj më tej shtetin ku sundimi i ligjit është në shkallë të lartë, (2) ta rrisë luftën kundër korrupsionit, dhe (3) të i respektoj plotësisht marrëveshjet e Brukselit.


Z. Haliti me tej theksoi se Kosova dhe Serbia një ditë do të arrijnë paqe mes veti, për çështjet për të cilat nuk pajtohen tani. Z. Haliti përmendi numrin e tërësishëm të të vrarëve në Kosovë, i cili është 12.000, dhe jo 1000 siç u cek nga znj. Gjuroviq. Po ashtu z. Haliti theksoi se gjatë luftës në Kosovë janë dëmtuar shumë kisha dhe shumë xhamia, duke mos dashur të futet në numra të objekteve të trashëgimisë kulturore të rrënuara dhe djegura nga ushtria Serbe në Kosovë.
Sa i përket frikës së serbëve në Kosovë, z. Haliti theksoi se serbët lëvizin lirshëm në secilin qytet të Kosovës.


Në fund z. Haliti theksoi se Serbia po e pengon Kosovën në integrimin në organizata ndërkombëtare edhe pëkundër marrëveshjes së Brukselit që Serbia nuk duhet ta pengojë Kosovën. Z. Haliti e përmbylli fjalimin e tij duke thënë se e ardhmja e serbëve në Kosovë është e mirë dhe e barabart me krejt popujt tjerë në Kosovë, duke cekur që në Kosovë nuk ekzistojnë krime të cilat i përshkroi më herët znj. Gjuroviq.


Edhe z. Conte edhe kryesuesja e Komisionit për Çështje Politike dhe Demokraci, e falënderuan z. Haliti për korrektësinë dhe qëndrimin konstruktiv.


Në këtë debat, fjalën e mori edhe përfaqësuesja e Shqipërisë, e cila është edhe nënkryetare e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, znj. Valentina Leskaj.


Ajo kërkoi në Komitetin Politik të Këshillit të Evropës, anëtarësimin me të drejta të plota të Kosovës në këtë organizatë. Gjatë kësaj seance, znj. Leskaj replikoi ashpër me të znj. Gjuroviq, duke thënë se çfarë dëgjoi këtu nga kolegia serbe e vë përpara pyetjes nëse gjuha e përdorur në Këshillin e Evropës, kontribuon për paqen dhe stabilitetin, për dialogun, zgjidhjen apo për konfliktin.

 

 

 Komisioni për Çështje Politike dhe Demokraci të Asamblesë Parlamentare të KE-së u mblodh në Paris Komisioni për Çështje Politike dhe Demokraci të Asamblesë Parlamentare të KE-së u mblodh në Paris