Lajmet e fundit
Kryetari Veseli mori pjesë në ceremoninë e përurimit të Qendrës së Shëndetit Mendor në Mitrovicë
E Mërkure, 04.11.2015
Sot, kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, mori pjesë dhe mbajti një fjalë rasti në ceremoninë e përurimit të Qendrës së Shëndetit Mendor në Mitrovicë.
Në fjalën e rastit, para të pranishmëve, kryetari Veseli vlerësoi përpjekjet e institucioneve të Kosovës për ringritjen e sistemit shëndetësor në Komunën e Mitrovicës, në të tri nivelet e kujdesit shëndetësor, por shtoi se ky zhvillim ende nuk e ka arritur nivelin e kënaqshëm të cilin e meriton Mitrovica, si një nga qendrat e mëdha të zhvillimit ekonomik, social dhe universitar.
"Jemi të obliguar para këtyre njerëzve t'i kryejmë detyrimet tona. Një e arritur e këtyre përpjekjeve tona institucionale, është edhe kjo qendër, e cila do t'u ndihmojë qytetarëve në nevojë të Mitrovicës dhe komunave përreth, që t'i kenë më afër shërbimet e kësaj natyre", theksoi kryetari i Kuvendit, ndërsa kërkoi nga institucionet gjegjëse që t'i vazhdojnë dhe rrisin angazhimet për përmirësimin e shërbimeve shëndetësore në të gjithë Kosovën.
Në vazhdim të kësaj ceremonie, në shenjë falënderimi për kontributin e tij, drejtuesit e qendrës ndanë mirënjohje për kryeparlamentarin Veseli.
Më pas, i shoqëruar nga drejtues të Ministrisë së Shëndetësisë dhe institucioneve të tjera shëndetësore, kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, preu në mënyrë simbolike shiritin e hapjes së kësaj qendre dhe u bëri një vizitë ambienteve të brendshme të saj.