Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Komisionit për punë të brendshme, siguri dhe mbikëqyrje të FSK-së
E Mërkure, 04.11.2015
Komisioni parlamentar për punë të brendshme, siguri dhe mbikëqyrje të FSK-se, nën kryesimin e nënkryetarit të komisionit, Fadil Demaku, ka zhvilluar sot mbledhjen e radhës. Çështja kryesore e rendit të ditës në këtë mbledhje ishte ecuria e gjertanishme e procesit të mbikëqyrjes së zbatimit të Ligjit nr.04/ L076 për Policinë e Kosovës. Për këtë raportoi kryesuesi grupit të punës, deputeti Nuredin Ibishi. Ai në mënyrë kronologjike listoi aktivitetet të cilat i ka zhvilluar grupi i punës duke veçuar mes tjerash vizitat dhe kontaktet që janë bërë me akterë të ndryshëm, përgjegjës për zbatimin e këtij ligji, dhe theksoi se grupi i punës ka grumbulluar të dhëna të shumta të cilat do të përpunohen dhe prezantohen në Raportin final për mbikëqyrjen e ligjit. Duke u ndërlidhur me këtë temë edhe anëtarët tjerë të komisionit kanë theksuar rëndësinë e madhe që ka Policia e Kosovës në ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike dhe zbatimi i ligjit për policinë është thelbësor për kryerjen me sukses të punës së policisë. Në fund të takimit, Komisioni ka vendosur edhe për dinamiken e aktiviteteve përmbyllëse rreth procesit të mbikëqyrjes së zbatimit të këtij ligji.