Lajmet e fundit

Komisioni për Integrime Evropiane takoi sot përfaqësuesin e BE-së në Kosovë, Zhbogar dhe Ministrin i Integrimit Evropian, Çollaku

E Marte, 03.11.2015




Komisioni për Integrime Evropiane i Kuvendit të Kosovës, në mbledhjen e sotme, të drejtuar nga , Teuta Sahatqija, kryetare e komisionit, kishte ftuar në takime të veçanta z. Samuel Zhbogar, Udhëheqës i Zyrës së BE-së në Kosovë dhe Përfaqësues Special i Zyrës së BE-së në Kosovë, si dhe Ministrin i Integrimit Evropian, Bekim Çollaku, për të biseduar lidhur me hapat e mëtejmë të Kosovës për zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit dhe benefitet që mund të ketë ekonomia e vendit tonë nga kjo marrëveshje.

Zonja Sahatqija, duke e hapur takimin, ka shprehur kënaqësinë që dje Kuvendi ka miratuar Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA-në), ndaj duke falënderuar zyrën e BE-së në Kosovë, për mbështetjen e vazhdueshme gjatë gjithë procesit të negocimit të marrëveshjes, ai ka dhënë fjalën Përfaqësuesit Special të BE-së në Kosovë, z. Samuel Zhbogar, për një fjalë informuese për anëtarët e Komisionit lidhur me MSA-në.

Që në fillim të fjalëës s tij, Zhbogar ka uruar deputetët dhe qytetarët e Kosovës për ratifikimin e MSA-së, ka shprehur kënaqësinë se që nga dje Kosova ka raporte shumë më të afërta dhe cilësore me BE-në, duke krijuar kësisoj për herë të partë marrëdhënie kontraktuale të ndërsjella. Ai, ndërkaq, ka shprehur pakënaqësinë e tij pse gjatë votimit të kësaj marrëveshjeje nuk kanë marrë pjesë shumica e deputetëve të opozitës. Ai ka apeluar që dialogu politik të kthehet në Kuvendin e Kosovës, duke tërhequr vëmendjen se gazi lotsjellës dhe hedhja e shisheve me ujë nuk e ndihmojnë demokracinë. Zhbogar ka theksuar se MSA-ja me Kosovën është gjithëpërfshirëse dhe se dallon nga ato me vende të tjera të rajonit edhe për shkak të Traktatit të Lisbones i cili e lejon BE-në që të nënshkruaj marrëveshje të tilla. Ai tutje ka pohuar se duhet të krijohen mekanizma të zbatimit të MSA-së në fusha të ndryshme, si Këshilli i Asociim-Stabilizimit, kurse ka folur edhe për përfitimet ekonomike që do të ketë Kosova nga Banka Evropiane , fondet e IPA-s, etj. Ai, ndërkaq, ka kërkuar që Kosova të krijojë ekonomi më stabile dhe prodhues konkurrent për tregun shumë të madh të BE-së.

Duke iu referuar raporteve të tensionuara politike në Kosovë për shkak të marrëveshjes për Bashkësinë (Asociacionin) e komunave serbe dhe atë për demarkacionin me Malin e Zi, Zhbogar ka ftuar për dialog politik. Ai,ndërkaq, e ka lënë mundësinë që marrëveshjet edhe të përmirësohen në ndonjë element të tyre, kurse është shprehur se institucioni, të cilin e përfaqëson, do ta respektojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese për këto marrëveshje.

Deputetët Vjosa Osmani dhe Ilir Deda kanë ngritur çështjen që në këtë situatë të vështirë politike, marrëveshja për Bashkësinë e Komunave serbe të dërgohej për interpretim në Komisionin e Venedikut, edhe për faktin se ky komision kishte marrë pjesë edhe në hartimin e Kushtetutës së Kosovës dhe në amendamentimin e saj. Lidhur më çështjen ngritur Zhbogar e ka parë të udhës që çështja të zgjidhet në institucionet e vendit.

Tensionimin e situatës në Kosovë deputeti Rrustem Mustafa e ka parë edhe për shkak të transparencës së pamjaftueshme të Qeverisë gjatë negocimit të këtyre marrëveshjeve, si dhe për komunikimin jo të mirë me media dhe me qytetarë. Pos kryetares Sahatqija dhe deputetëve të përmendur pyetje kanë shtruar edhe Slobopdan Petroviq, Arben Gashi dhe Luljeta Vesalaj-Gutaj.

Në pyetjet e deputetëve, ndërkaq, se kur MSA-ja për Kosovën do të miratohet në Parlamentin Evropian, Zhbogar ka theksuar se nuk pritet që kjo të ndodhë para gjysmës së dytë të vitit 2016, ndërkohë që, ka pohuar ai, do të miratohet edhe Marrëveshja Kornizë për Komunitetet, nga të cilat pritet të përfitojë shumë Kosova.


Në pjesën e dytë të mbledhjes së Komisionit, Ministri i Integrimit Evropian, Bekim Çollaku, u është përgjigjur pyetjeve të deputetëve lidhur me hapat e mëtejmë të Kosovës për zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit dhe përfitimet që qytetarët dhe ekonomia e vendit mund të kenë nga kjo marrëveshje.

Ministri Çollaku në fjalën e tij ka theksuar se ai ishte përgatitur të raportonte në Komision para ratifikimit të MSA-së, por pasi që kjo tani më është miratuar do të përqendrohej vetën hapat që duhen ndërmarrë për zbatimin e marrëveshjes .

Ai fillimisht është pajtuar me konstatimin e kryetares së Komisionit, Teuta Sahatqija se Komisioni për Integrime Evropiane do të rol shumë të fuqishëm për zbatimin e MSA-së, dhe për harmonizimin e legjislacionit të vendit me atë të BE-së. Ai ka pohuar se duhen incizuar të gjitha kapacitete tona humane dhe profesionale për zbatimin e MSA-së dhe përfitimin sa më të madh të vendit tonë nga kjo marrëveshje. Ai ka pohuar gjithashtu se nga Marrëveshja Kornizë për Komunitetet, Kosovës i hapen rrugët për përfitime nga fondet e BE-së në 32 dy programe, me mbi 600 milion euro , por ka tërhequr vëmendjen që duhen përgatitje të mëdha dhe fuqi absorbuese e ekonomisë së vendit për të konkurruar me sukses në këto fonde dhe programe.

Në përfundim të fjalës së tij para anëtarëve të Komisionit për Integrime Evropiane ministri Çollaku ka theksuar se Qeveria e Kosovës dhe ministria të cilën e udhëheq po bëjnë shumë për kthimin qytetarëve tanë pa leje qëndrimi në vendet perëndimore, por ka theksuar gjithashtu se ua ka bërë të qartë përfaqësuesve të këtyre vendeve tona mike se Kosova nuk mund t'i bartë pasojat e krizave që nuk i shkakton vet, duke aluduar në dyndjen e refugjatëve nga Lindja e Mesme dhe Afrika.

Në shumë pyetje profesionale lidhur me MSA-në është përgjigjur sekretari i Ministrisë, Demush Shasha, i cili ndër të tjera ka pohuar se bashkë me Ministrinë për Integrime të Republikës së Shqipërisë janë pajtuar që me forca të përbashkëta profesionale ta përkthejnë me terma standard për të dyja vendet gjithë legjislacionin dhe aktet e tjera të BE-së.

 

 

Komisioni për Integrime Evropiane takoi sot përfaqësuesin e BE-së në Kosovë, Zhbogar dhe Ministrin i Integrimit Evropian, ÇollakuKomisioni për Integrime Evropiane takoi sot përfaqësuesin e BE-së në Kosovë, Zhbogar dhe Ministrin i Integrimit Evropian, Çollaku