Lajmet e fundit

Kryetari Veseli takoi ambasadorin e ri të Austrisë, Gernot Pfandler

E Marte, 03.11.2015




Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, ka takuar sot ambasadorin e ri të Austrisë në Kosovë, Gernot Pfandler, me të cilin diskutoi për bashkëpunimin e shkëlqyer mes Kosovës dhe Austrisë.


Në takim u bisedua për zhvillimet aktuale në Kosovë dhe rajon, bashkëpunimin ndër parlamentar dhe mundësitë e thellimit të këtij bashkëpunimi, në sferën e ekonomisë, rëndësinë e fqinjësisë së mirë dhe avancimin relacioneve ndër parlamentare.


Ambasadori Pfandler përgëzoi kryekuvendarin Veseli për përkushtimin ndaj debatit transparent brenda institucioneve, duke theksuar se dhuna në Kuvend nuk është rrugë e duhur për institucionet demokratike.
Ai më tej shtoi se vizita e para disa ditëve e presidentit austriak është përkrahje për Kosovën, biznesin dhe ekonominë kosovare.


Kryetari Veseli e falënderoi ambasadorin austriak, duke theksuar se Republika e Austrisë ishte në krah të Kosovës dhe qytetarëve të saj në çdo fazë të zhvillimit. Fjala e Presidentit Fisher në Kuvend, shtoi kryetari Veseli, ka rëndësi për jetën tonë parlamentare, por i rëndësishëm mbetet edhe fakti se gjatë vizitës së tij në Kosovë, ai ishte i shoqëruar nga udhëheqës të shquar të korporatave austriake.


"Austria dëshmoi se vendit tonë i duhet jo vetëm përkrahja politike, por edhe ajo ekonomike. Kapitali dhe investitorët austriak janë të mirëseardhur. Ne do të përdorim tërë mundësitë tona ligjore për favorizimin e të bërit biznes, mbrojtjen e kapitalit të huaj në Kosovë dhe përkrahjen e investitorëve", theksoi kryetari Veseli.

 

 

Kryetari Veseli takoi ambasadorin e ri të Austrisë, Gernot PfandlerKryetari Veseli takoi ambasadorin e ri të Austrisë, Gernot Pfandler