Lajmet e fundit

Mbledhja e Kuvendit

E Hënë, 02.11.2015




Shqyrtimi i Projektligjit për Ratifikimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA) ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian, si dhe Komunitetit Evropian të Energjisë Atomike, ishte pikë e vetme e rendit të ditës në mbledhjen e sotme të Kuvendit të Kosovës, e kryesuar nga kryeparlamentari, Kadri Veseli.

Në këtë mbledhje, në të cilën ishte e pranishme edhe presidentja e vendit, Atifetete Jahjaga, projektligjin e paraqiti dhe arsyetoi ministri i Ministrisë së Integrimeve Evropiane,Bekim Çollaku.

"Marrëveshja e Stabilizim Asociimit ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian, paraqet hapin e parë dhe më të rëndësishëm të rrugëtimit të Kosovës drejt BE-së", tha në fillim të paraqitjes së tij, ministri Çollaku. Ai në vijim tha se me këtë marrëveshje, fati i Kosovës dhe BE-së do të jetë i lidhur edhe më ngushtë, ndërkaq, insistimi i arritjes së saj buron nga vullnet i popullit të Kosovës, i cili në vazhdimësi ka vlerësuar se vlerat e BE-së janë edhe vlera të tij. Duke folur për përmbajtjen e marrëveshjes së arritur me MSA-në, Çollaku tha se BE-ja ndryshon nga ajo që ishte para 15 viteve, ndërkaq, vijoi duke thënë: "Mbështetur në këtë fakt, marrëveshja e arritur është në harmoni me rrethanat, të cilat këtë marrëveshje e bëjnë të dallueshme nga ato që kanë arritur disa nga shtetet e rajonit". Ai më pas përmendi faktin që 5 nga shtetet e BE-së nuk e kanë njohur Kosovën si shtet dhe njëkohësisht shprehu bindjen e tij se marrëveshja e arritur do të jetë shtytëse e madhe për të marrë qëndrim në favor të njohjes së shtetësisë së Kosovës edhe nga këto vende të BE-së. Po ashtu, ai foli edhe për ndikimin e saj në zhvillimin ekonomik dhe fusha të tjera në të mirë të qytetarëve të vendit.

Në fund të fjalës së tij, ministri Çollaku u shpreh:" Marrëveshja me MSA-në, nuk është dhuratë, por vlerësim real i Kosovës në të arriturat e saj si shtet dhe si shoqëri".

Në emër të Komisionit për Integrime Evropiane foli deputetja, Teuta Sahatqija.

Ajo njoftoi deputetët se Komisioni e ka përkrahur marrëveshjen dhe ka rekomanduar miratimin e saj, ndërkaq, ajo po ashtu njoftoi edhe për një amendament të propozuar nga komisioni. Komisioni ka rekomanduar, njoftoi ajo, që në nenin një, para fjalës Kosovë, të vehet fjala Republika.

Më pas, janë deklaruar shefat e grupeve parlamentare.

Në emër të Grupit Parlamentar të PDK-së, foli shefi i këtij grupi, deputeti, Adem Garbovci. Kosova, tha ai, është vendi i fundit në Ballkanin Perëndimor që ka arritur marrëveshjen me MSA-në. Vendi ynë, u shpreh më tej Garbovci, derimëtani paraqiste vrimë të zezë në këtë pjesë të Evropës, e cila që nga sot do t'i përket vetëm historisë. Ai foli për përfitimet që sjell marrëveshja, me theks të veçantë ndikimin e saj në liberalizimin e vizave.

Në fund të fjalës së tij, ai u bëri apel të gjithë deputetëve që të mbështesin këtë marrëveshje.

Në emër të Grupit Parlamenatr të LDK-së, deputeti Ismet Beqiri, shef i këtij grupi, vlerësoi se marrëveshja e arritur dhe ratifikimi i saj, për Kuvendin është një ndër ditët më të veçanta, ndërkaq, për qytetarët ditë solemne. Kjo marrëveshje, tha ai, hapë rrugë për perspektivën evropiane dhe është një ndër ditët më të shënuara pas shpalljes së Pavarësisë së vendit. Integrimet evropiane, vlerësoi në vijim Beqiri, janë treguar shtytësit më të mëdhenj të zhvillimit të shteteve .

Kritik ndaj marrëveshjes, ndërkaq, është shprehur shefi i Grupit Parlamentar të VV-së, Glauk Konjufca. Ai në fjalën e tij tha se VV-ja është për integrime evropiane, por, sipas tij, marrëveshja e arritur nuk paraqet një fakt të tillë. Ai vlerësoi se marrëveshja prejudiokon statusin e Kosovës si dh obligon jetësimin e marrëveshjeve të arritura në mes të Kosovës dhe Serbisë, gjë që sipas qëndrimit të këtij subjekti politik dëmtojnë rëndë interesat e vendit.. Marrëveshja, paraqet një pako kushtesh, të cilat Kosovën do ta fusin në procesin e bosnjëzimit të saj, përfundoi Konjufca.

Në favor të integrimeve evropiane, integrimit në NATO dhe për miqësi të përhershme me SHBA-të, është shprehur edhe Donika Kadaj -Bujupi, shefe e Grupt Parlamentar të AAK-së. Ajo vlerësoi se marrëveshja e arritur është rezultat i përpjekjes së kahershme, ndërkaq, vlerësoi se Qeveria e vendit bie ndesh me parimet bazë të marrëveshjes: avancimi i demokracisë dhe sundimi i ligjit. Me këtë rast, ajo vuri në pah edhe marrëveshjet e Qeverisë së Kosovës me Serbinë në Bruksel, si dhe atë për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, për të cilat edhe me këtë rast u shpreh kritike.

Lista Serbe, e përfaqësuar nga deputeti, Sllavko Simiq, u deklarua në favor të marrëveshjes. Marrëveshja sipas Simiq, nuk është e rëndësishme vetëm për Kosovën, por, edhe për rajonin, duke pasur parasysh ndikimin saj ekonomik.

Integrimet si nevojë e vendit janë paraqitur edhe nga NISM-a, përmes përfaqësueses së këtij Grupi Parlamentar, Valdete Bajrami. Ajo me këtë rast ngrit një varg kritikash rreth marrëveshjes së arritur.

Përfaqësuesi i Grupit Parlamentar 6+, Bashkim Paçaku , tha se grupi që ai përfaqëson është në favor të marrëveshjes dhe u shpreh i bindur se ajo do të ndikojë në zhvillimin ekonomik të vendit.

Pas kësaj, fjalën e mori deputeti, Ilr Dedaj, i cili u shprehë se marrëveshja është e dobishme për vendin në të gjitha aspektet e saja. Ai foli edhe për iniciativat e para për realizimin e saj, ndërkaq, deklaroi se integrimi i plotë i vendit kërkon përkushtim të vazhdueshëm institucional.

Në vijim folën edhe deputetët: Vjosa Osmani, Alma Lama, Bekim Haxhiu dhe të tjerë.

Në fund, deputetëve u është drejtuar edhe kryeministri i vendit, Isa Mustafa.

Ai u shpreh i bindur se marrëveshja do të ratifikohet nga Kuvendi, ndërkaq, falënderoi deputetët e të gjitha legjislaturave si dhe qeveritë paraprake për punën e tyre dhe kontributin e dhënë që të vije deri të nënshkrimi i marrëveshjes për MSA-në.

Ai foli edhe për objektivat e Qeverisë, me theks të veçantë për anëtarësimin e Kosovës në UNESC-o dhe liberalizimin e vizave.

Pas kësaj, kryeparlamenatri, Veseli e hodhi në votim Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA) ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian, si dhe Komunitetit Evropian të Energjisë Atomike.
Votimi është zhvilluar pa pjesëmarrjen e partive opozitare, VV, AAK dhe NISMA.

Pas votimit, deputetët me më shumë se dy të tretave të votave (86), ratifikuan Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit (MSA) ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian, si dhe Komunitetit Evropian të Energjisë Atomike.

 

Mbledhja e Kuvendit Mbledhja e Kuvendit Mbledhja e Kuvendit Mbledhja e Kuvendit