Lajmet e fundit

Mbledhja e Komisionit për Zhvillim Ekonomik...

E Marte, 27.10.2015




Realizimi i prioriteteve në aspektin buxhetor për këtë vit dhe vitin e ardhshëm në Ministrinë e Infrastrukturës (MI), ishte temë e debatit të sotëm në mbledhjen e Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë,Tregti dhe Industri, të kryesuar nga Muhamet Mustafa, kryetar i komisionit.

Ministri i MI-së, Lutfi Zharku, foli për objektivat e Ministrisë, projektet që janë në realizim, si dhe ato të rejat që janë paraparë për vitin që vjen.

Duke folur për sektorin e infrastrukturës rrugore, ministri Zharku, tha se prioritet do të jetë rehabilitimi i rrugëve të dëmtuara, zgjerimi i tyre, si dhe ndërtimi i rrugëve të tjera. Ai në vijim njoftoi se ministria është duke punuar anembanë vendit, ndërkaq, ndër projektet më madhore ai përmendi autostradën "Ibrahim Rugova", e cila do të vijojë në drejtimin Prishtinë - Merdarë, pastaj, rrugët: Prishtinë - Pejë dhe Prishtinë -Mitrovicë. Me këtë rast, ministri në vijim përmendi një segment të rrugës Prishtinë-Hani i Elezit, i cili është inauguruar ditë më parë nga ministria.

Në vijim, ministri Zharku njoftoi në mënyrë të detajuar për të gjitha rrugët që janë në procesin e rregullimit të tyre. Ai po ashtu njoftoi se shumë nga projektet janë të trashëguara nga Qeveria e kaluar, ndërkaq, duke folur për koston e tyre buxhetore ai njoftoi se këto projekte, janë duke u realizuar nga buxheti i Kosovës, si dhe fondet e siguruara pas marrëveshjeve me BERZH-in, Bankën e Investime Evropiane, Fondin Saudit dhe Bankën Islamike.

Pas kësaj, ministri i MI-së, Zharku, njoftoi edhe për sfidat që sjellë buxheti i limituar në realizimin e disa projekteve, veçanërisht, kërkesat nga komunat. Kërkesat që vijnë nga komunat, tha ai, janë të papërballueshme për buxhetin e Kosovës. Ai foli edhe për gjendjen në hekurudhat e Kosovës, regjistrimin e automjeteve, si dhe numrin e aviokompanive që operojnë në Aeroportin Ndërkombëtar "Adem Jashari" , në Prishtinë.

Në vijim, ministri u është përgjigjur edhe pyetjeve që ngritën anëtarët e komisioni, të cilët e përgëzuan atë për sukseset e deritashme dhe e inkurajuan për punë të mëtejme, duke e siguruar po ashtu për përkrahjen e pa rezervë të komisionit.

 

 

 Mbledhja e Komisionit për Zhvillim Ekonomik...