Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Kryesisë së Kuvendit
E Marte, 27.10.2015
Seanca e radhës e Kuvendit të Republikës së Kosovës, do të mbahet të hënën, më 2 nëntor, në orën 10:00. Kështu vendosi sot Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës, në mbledhjen e kryesuar nga Kadri Veseli, kryetar, në të cilën ishin prezentë edhe kryetarët e grupeve parlamentare, ndërsa munguan ata të grupeve opozitare.
Në mbledhjen e së hënës, ligjvënësit do të shqyrtojnë një varg projektligjesh, raportesh e rekomandimesh.
Pas dy pikave të rregullta të mbledhjeve plenare: deklarimeve jashtë rendit të ditës dhe pyetjeve parlamentare, Kuvendi do të shqyrtojë dy projektligje që kanë të bëjnë me ratifikimin e dy marrëveshjeve ndërkombëtare:
Projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Dukatës së Madhe të Luksemburgut dhe Projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes bilaterale ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Dukatës së Madhe të Luksemburgut për Projektin e Bashkëpunimit për Zhvillim: "KSV/018: Mbështetje Institucionale dhe Teknike për Sistemin e Furnizimit me Ujë në Rajonin e Mitrovicës".
Në vazhdim, do të shqyrtohen për herë të parë pesë projektligje: Projektligji për Auditorin e Përgjithshëm dhe Zyrën Kombëtare të Auditimit të Republikës së Kosovës, Projektligji për administrimin e pasurisë së sekuestruar dhe të konfiskuar, Projektligji për Mjekësinë Ligjore, Projektligji për patentë shofer , si dhe ai për Shërbimin e Jashtëm të Republikës së Kosovës. Për herë të dytë, ndërkaq, do të shqyrtohet Projektligji për letërnjoftimin.
Mbledhja e Kuvendit pritet të vazhdojë me shqyrtimin e raporteve dhe rekomandimeve. Kështu, në vijim, do të shqyrtohet raporti i Komisionit për Punë të Jashtme për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për Shërbimin Konsullor, të misioneve diplomatike dhe konsullore të Republikës së Kosovës. Më pas, pritet të shqyrtohen rekomandimet lidhur me raportin e auditimit për pasqyrat financiare të Ministrisë së Integrimeve Evropiane për vitin 2014 dhe rekomandimet që lidhen me raportin e auditimit të performancës për mirëmbajtjen dhe servisimin e veturave zyrtare, si dhe raportin e auditimit të pasqyrave financiare për Ministrinë e Administratës Publike, Këshillin Gjyqësor të Kosovës, Doganën e Kosovës dhe Policinë e Kosovës për vitin 2014. Do të shqyrtohet, po ashtu, edhe raporti i Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare për vitin 2014, si dhe ai për gjendjen e mjedisit në Kosovë për vitin 2015. Në fund, pritet të përzgjidhet një anëtar joekzekutiv të Bordit të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës dhe të shqyrtohet kërkesa e kryetarit të Komunës së Prishtinës për rinovimin e sheshit "Adem Jashari".
Në mbledhjen e sotme të Kryesisë, kryetarët e grupeve parlamentare në pozitë, përcollën kërkesën e deputetëve që përfaqësojnë, për të krijuar siguri dhe kushte për punë në mbledhje plenare. Në funksion të kësaj, ishte qëndrim i përbashkët i Kryesisë dhe grupeve parlamentare që të kërkohet nga organet kompetente të sigurisë që brenda përgjegjësive të tyre institucionale, të krijojnë kushte për mbarëvajtjen e punës në sallën e mbledhjeve plenare të Kuvendit dhe të garantojnë siguri për shëndetin dhe jetën e deputetëve.