Lajmet e fundit

Kryetari Veseli mori pjesë në vënien e gurthemelit të Shkollës “Hasan Prishtina” në Llapushnik

E Hënë, 26.10.2015




Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, sot, mori pjesë dhe mbajti një fjalë rasti në ceremoninë e vënies së gurthemelit të Shkollës Fillore dhe të Mesme të Ulët "Hasan Prishtina", në Llapushnik.
Në fjalën e tij para përfaqësuesve të tjerë të institucioneve qendrore e lokale, mësimdhënësve dhe nxënësve të kësaj shkolle, si dhe banorëve të Llapushnikut, kryetari Veseli, fillimisht, kujtoi betejat e lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kundër forcave serbe, po në këtë grykë, 17 vite më parë. "Llapushniku, Prekazi, Gllogjani dhe vatrat tjera të luftës, ku u shënua
rezistenca kundër armikut, janë vende të shenjta. Sot, ato kanë nevojë për zhvillim, punësim, shkolla më të mira dhe edukim më cilësor", tha në fjalën e tij kryeparlamentari Veseli. Ai shtoi se Llapushniku do ta ketë shkollën e re, në mënyrë që nxënësit të kenë kushte më të mira për mësim, në të cilin po investon fuqishëm Qeveria e Kosovës, duke u bërë nesër, me dijen e tyre, ndërtuesit e një Kosove edhe më të begatë.
"Të dashur nxënës, urime dhe e gëzofshi përjetësisht shkollën e re. Ju mësimdhënës, nëpërmjet punës suaj të jashtëzakonshme, vazhdoni misionin
e edukimit të gjeneratave të reja, në mënyrë që Kosova jonë të ketë përparim e zhvillim", theksoi kryetari i Kuvendit.
Në vazhdim, kryetari Veseli, i shoqëruar nga nënkryetari Xhavit Haliti e deputetë të tjerë, nga ministri i Arsimit, Arsim Bajrami, ai i Administratës Publike, Mahir Yagxhilar dhe kryetari i Komunës së Drenasit, Nexhat Demaku, vuri gurthemelin e kësaj shkolle.

4