Lajmet e fundit

REAGIM i GGD Me rastin e vrasjes tragjike të znj Zejnepe Bytyqi Berisha

E Hënë, 26.10.2015




Grupi i Grave Deputete shpreh shqetësimin për përmasat që po merr dhuna gjinore, përherë në rritje dhe jo rrallë herë me shpërthime fatale me humbje të jetëve të grave dhe vajzave tona.
Ky është edhe një tjetër krim i tmerrshëm ndodhi në një familje shqiptare në Suharekë, një ngjarje që na përkujton se sa të brishtë jemi si shoqëri dhe si femra në veçanti.
Zejnepe Bytyqi - Berisha është viktima e radhës e cila nuk arriti t'i shpëtojë plagëve të marra me thikë, të shkaktuara nga bashkëshorti i saj.
Nuk mund të mos e themi se Diana Kastrati dhe Zejnepe Bytyqi janë viktima të dështimit të drejtësisë për t'ju ofruar mbrojtje! Dhe ky rast tregon se sundimin e ligjit duhet ta shtrijmë në të gjitha nivelet, ndërkaq kujdesin me të madh duhet ta tregojmë te vetë familjet dhe rrethi ynë i ngushtë, sepse aty kanë vendin themelet e shtetit dhe shoqërisë sonë.
GGD ngushëllon familjen, të afërmit dhe miqtë e së ndjerës duke dëshiruar që ata të gjejnë forcë për ta përballuar humbjen e njeriut të tyre të dashur.
GGD kërkon nga organet gjegjëse të sjellin para drejtësisë autorin e krimit dhe t'i japin dënimin e merituar, ndërkaq shteti të kthejë vëmendjen tek viktimat e dhunës së krimit në familje, thuhet në reagimin e grave deputete të nënshkruar nga Blerta Deliu - Kodra, kryetare e GGD-së.