Lajmet e fundit
Mbledhja e Kuvendit
E Shtune, 24.10.2015
Vazhdimi i mbledhjes së sotme të Kuvendit të Kosovës, kryesuar nga kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, sërish u ndërpre, meqë u hodh gaz lotsjellës nga opozita. Pas dhënies së pauzës, u mbajt mbledhja e Kryesisë së Kuvendit, në të cilën u vendos që të vazhdojë punën seanca e Kuvendit. Mirëpo,sërish opozita ndërmori veprime kundër vazhdimit të mbledhjes, duke u përpjekur të çajë kordonin e pjesëtarëve të sigurimit të cilët kishin dalë para ulëseve të kabinetit qeveritar.
Mbledhja filloi me pikën e parë-koha për deklarime jashtë rendit të ditës, por në këtë çast u hodh gaz lot sjellës që ndikoi të acarohet gjendja tej mase. Për këtë pikë nuk u paraqit asnjë deputet për të marrë fjalën. Në kohën kur kryekuvendari kumtonte fillimin e shqyrtimit të dytë të Projektligjit për shëndetin mendor,ballafaquar më një situatë të rëndë,edhe nga ndërhyrjet me reagime të ashpra të deputetëve të opozitës dhe fjalët fyese, kryekuvendari ndërpreu mbledhjen duke dhënë një pauzë.
Pas pauzës vazhdoi seanca në një sallë tjetër të Kuvendit, në të cilën nuk morën pjesë deputetët e opozitës, përkatësisht nga Vetëvendosje, AAK dhe Nisma. Nga lëmi i projektligjeve, Kuvendi sot miratoi Projektligjin për shëndetin mendor, si dhe Projektligjin për mbrojtjen e të ushqyerit me qumësht gjiri.
Në vazhdim Kuvendi votoi pro emërimit të Elbasan Dervishajt, për anëtar të Këshillit Drejtues të Institutit Gjyqësor të Kosovës. Ndërkaq, emërimi i anëtarëve të Këshillit për Ndihmë Juridike Falas u shty për një seancë tjetër.
Kuvendi pastaj emëroi Abdullah Aliun,anëtar të Komisionit për Kërkesa Pronësore, si dhe formoi Komisionin ad hoc për përzgjedhjen e një anëtari të Bordit të RTK-së nga komuniteti serb.
Në fund të seancës u përkrahën propozimimet e disa grupeve parlamentare për zëvendësimin e anëtarëve në komisionet e Kuvendit.