Lajmet e fundit
Kryetari Veseli prit në takim ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Greg Delawie
E Enjte, 22.10.2015
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, prit sot në takim ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Greg Delawie, me të cilin diskutoi për zhvillimet e fundit në Kuvendin e Kosovës.
Ambasadori amerikan konfirmoi përkrahjen e tij për kryetarin Veseli në vazhdimin e seancës së nesërme plenare, duke e konsideruar të rëndësishme që Kuvendi i Kosovës të vazhdojë punën dhe të miratojë ligje që janë qenësore për Kosovën.
"Unë jam këtu për të shprehur përkrahjen time për Parlamentin e Kosovës. Ne kemi biseduar se sa e rëndësishme është për Kuvendin që të mbajë seancë nesër, në mënyrë që të miratohen ligje që janë të rëndësishme për mirëqenien e qytetarëve të Kosovës", tha ambasadori Delawie, në adresimin para gazetarëve.
Duke i konsideruar veprimet e partive opozitare si të dëmshme për vendin dhe demokracinë e Kosovës, z. Delawie kërkoi nga deputetët e tyre që të qëndrojnë në Kuvend dhe të mos përdorin dhunë. Ai tha se investitorët po i shohin imazhet e dhunës, dhe se kjo nuk është gjë e mirë për Kosovën.
"Duhet të them se njerëz nga mbarë bota, janë duke parë në televizor imazhe të dhunës dhe kaosit në institucionet më të rëndësishme dhe demokratike të Kosovës. Kjo nuk është gjë e mirë për Kosovën. Për ata njerëz që sjellin armë në Kuvendin e Kosovës dhe i përdorin kundër kolegëve të tyre, unë kam një mesazh: Ju po e lëndoni ekonominë e Kosovës, ju po rrezikoni që Kosova të izolohet nga komuniteti euro-atlantik, ju po vëni në rrezik shanset e Kosovës për liberalizmin e vizave, ju po i vononi shanset e Kosovës për njohje të reja", theksoi ambasadori amerikan.
Ai përsëriti se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë për qëllim ta ndihmojnë Kosovën që të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian, ndërsa shtoi se të gjithë qytetarët e Kosovës duhet të jenë dhe të trajtohen të barabartë para ligjit.
Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, tha se është një shqetësim i të gjithë miqve që kanë ndihmuar në shtetndërtimin e Kosovës se me veprimet e fundit demokracia e saj po dëmtohet. Kryetari Veseli falënderoi ambasadorin amerikan për mbështetjen e vazhdueshme të shtetit të tij për Kosovën dhe veçanërisht Kuvendin e saj, duke shtuar se Kosova do të jetë storie e suksesit, si një shtet ligjor dhe demokratik.
Ai u bëri thirrje deputetëve të opozitës që të kthehen në Kuvend dhe që së bashku të punojnë për të mirën e vendit. Kryetari Veseli theksoi se Kuvendi nuk ka nënshkruar asgjë dhe nuk duhet të jetë pjesë e bllokimit, por vend i diskutimeve dhe debatit, nga i cili nuk do të prodhohen skenarë që destabilizojnë vendin.
Kryetari i Kuvendit i konsideroi të dobët dhe që nuk ia duan të mirën këtij vendi të gjithë ata të cilët krijojnë situata dobësie dhe konflikti në Kuvendin e Kosovës.
"Unë dëshiroj të sigurojë ambasadorin e SHBA-së se investimi i partnerëve tanë, veçanërisht i SHBA-së në ndërtimin e shtetit të Kosovës dhe demokracinë kosovare ka qenë i drejtë dhe Kosova do të jetë storie e suksesit, një shtet ligjor, stabil, demokratik dhe i zhvilluar ekonomikisht", tha kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli.