Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike
E Marte, 20.10.2015
Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike (KMFP),i Kuvendit të Republikës së Kosovës, në takimin drejtuar nga nënkryetari i parë, z. Ali Sadriu, ka shqyrtuar Raportin vjetor të Auditimit për vitin 2014. Të pranishëm ishin: Ministri i Financave , Avdullah Hoti, Ministri i Ministrisë së Administratës Publike , Mahir Yagcilar, Zëvendësauditori i Përgjithshëm , Ibrahim Gylderen, dhe Drejtori i Njësisë Qendrore Harmonizuese, Kosum Aliu.
Duke qenë se Raporti është mjaft voluminoz dhe ka nevojë për një trajtim më të detajuar, e me qëllim që të jetë më efektiv, komisioni kishte vendosë që në këtë takim të shtjellohen vetëm katër kapituj të këtij raporti, kurse kapitujt tjerë të shtjellohen në mbledhjen e radhës së komisionit, gjithnjë me qëllim që ky raport të shtjellohet i tëri dhe të dërgohet në Kuvend para datës 31 tetor 2015, ashtu siç kërkon Ligji për Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësive.
Pas diskutimit të katër kapitujve të raportit të Auditorit të Përgjithshëm, të cilët i prezantuan nga z. Ali Sadriu, z. Hajdar Beqa dhe znj. Synavere Rysha, fjala iu dha edhe Auditorit të Përgjithshëm, i cili mbështeti diskutimin e deputetëve dhe falënderoi për rëndësinë që komisioni po i kushton këtij raporti.
Pas pyetjeve të shtruara nga anëtarët e komisionit, ministrat: Hoti dhe Yagcilar u zotuan se do të kenë parasysh të gjitha rekomandimet e Auditorit të Përgjithshëm dhe se do të kujdesen që këto rekomandime të implementohen me përpikëri, ngase si të tilla, i ndihmojnë Qeverisë që të vendosë një sistem të mirë të kontrollin në shpenzimin e parasë publike.
Në fund, pas një diskutimi konstruktiv dhe profesional, Komisioni vendosi që rekomandimet e dala nga 4 kapitujt e shqyrtuar të aprovohen në takimin e ardhshëm të komisionit, ku do të diskutohen edhe 2 kapitujt e fundit të këtij raporti dhe do të përmbledhën edhe rekomandimet nga këta kapituj, dhe si të tillë të përcjellën në Kuvend.