Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Kryesisë së Kuvendit

E Marte, 20.10.2015




Mbledhja plenare e Kuvendit, e ndërprerë më 15 tetor, do të vazhdojë të premten, më 23 tetor, në orën 16:00.
Kështu vendosi Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës, në mbledhjen e sotme të kryesuar nga Kadri Veseli, kryetar, në të cilën ishin prezentë edhe kryetarët e grupeve parlamentare, kurse munguan ata të partive opozitare.


Në mbledhjen e së premtes, do të shqyrtohen dy projektligje dhe do të emërohen anëtarët e disa institucioneve të pavarura.


Kështu, pas deklarimeve jashtë rendit të ditës dhe pyetjeve parlamentare, do të shqyrtohet për herë të dytë Projektligji për shëndetin mendor dhe ai për mbrojtjen e të ushqyerit me qumësht gjiri. Në vazhdim, pritet të emërohen anëtarët e Këshillit Drejtues të Institutit Gjyqësor të Kosovës, të Këshillit për Ndihmë Juridike Falas dhe të Komisionit për Kërkesa Pronësore. Në fund, do të formohet Komisionit ad hoc për përzgjedhjen e një anëtari të Bordit të RTK-së nga komuniteti serb dhe do të shqyrtohet propozimi i grupeve parlamentar për zëvendësimin e anëtarëve në komisionet parlamentare.


Po sot, Kryesia shqyrtoi edhe çështje të tjera që lidhen me aspekte të brendshme të punës së Kuvendit dhe të diplomacisë parlamentare. Kështu, Kryesia formalizoi krijimin e 45 grupeve të miqësisë me parlamentet e vendeve të tjera, të cilat do të shërbejnë për ndërtimin dhe kultivimin e mëtejmë të marrëdhënieve ndërparlamentare.

 Nga mbledhja e Kryesisë së Kuvendit