Lajmet e fundit
Komisioni për Zhvillim Ekonomik...
E Marte, 20.10.2015
Ministri i Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik (MZHE), Blerand Stavileci, në mbledhjen e sotme të Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri, raportoj për zhvillimet nga fushëveprimtaria e ministrisë, përkatësisht, realizimi i prioriteteve në aspektin buxhetor për këtë vit dhe vitin e ardhshëm.
Po ashtu, ministri Stavileci, e njoftoi komisionin edhe për punën e deritashme si dhe objektivat që synon të arrijë ministria.
Duke folur për projektet me përparësi në MZHE, ministri vuri në dukje angazhimet e tyre në sektorin e energjisë.
"Në kuadër të angazhimeve tona, prioritet themelor është çështja e energjisë", tha ministri. Ai më tej njoftoi për hapat që janë ndërmarrë në rregullimin e kësaj fushe, ndërkaq, bëri të ditur se deri në fund të këtij muaji do të përfundojë procesi lidhur me ndërtimin e termocentralit " Kosova e Re". Në kuadër të këtyre angazhimeve, ministri po ashtu njoftoi edhe për aktivitetet lidhur me hartimin e strategjisë energjetike dhe strategjinë minerare. Në vijim të fjalës së tij, ai po ashtu foli edhe për pakon e ligjeve për energjinë, të cilat ministria do t'i procedojë së shpejti në Qeveri. Sa i përket sektorit energjetik, i pari i MZHE-së, Stavileci, vuri në pah edhe përpjekjen për gjenerimin e energjisë alternative. Lidhur me këtë, ai njoftoi se në bashkëpunim me Bankën Botërore, janë duke e realizuar një projekt, i cili do të ndikojë edhe në krijimin e vendeve të reja të punës. Në vijim, ministri njoftoi edhe për ecurinë e hartimit të Ligjit për Trepçën, për telekomunikacionin dh e çështje të tjera që bien në fushëveprimtarinë e ministrisë.
Duke folur për sfidat, ndërkaq, ai vuri në dukje buxhetin e limituar në disa sektorë, andaj, lidhur me këtë kërkoi mbështetjen e komisionit.
Kryetari i komisionit, Muhamet Mustarfa, pasi falënderoi ministrin për raportin, e siguroi atë për mbështetje të vazhdueshme të komisionit. Kryetari Mustafa, po ashtu kërkoi nga ministri angazhim edhe më të madh në realizimin e objektivave të cilat ministria i ka vënë vetes, ndërkaq, me theks të veçantë foli për studimin e mundësisë së investimeve në termocentralin "Kosova A".
Në debat u angazhuan edhe anëtarët e tjerë të komisionit. Ata ngritën një varg pyetjesh dhe dilemash, për të cilat u është përgjigjur ministri, Stavileci.
Ndër çështjet e ngritura me këtë rast ishte edhe nevoja kompletimit të bordeve në ndërmarrjet publike.